Forcat e Policisë së Vlorës, pas shumë orësh kërkime, kanë gjetur turisten austriake, që kishte humbur në Gadishullin e Karaburunit.
Turistja është gjetur midis Gjirit të Gramës dhe Gjirit të Anglezit në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia po e shoqëron turisten me gomone në drejtim të qytetit të Vlorës.
Karaburuni, i cili mbrohet si pjesë e parkut kombëtar, mbetet një thesar natyror, por gjithashtu një zonë ku turistët shpesh përballen me vështirësi, veçanërisht kur dalin jashtë shtigjeve të njohura.
Njoftimi i Policisë Vlorë:
Shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me Forcën Delta, Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë dhe Policinë e Orikumit, i erdhën në ndihmë një turisteje nga Austria, e cila kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit në 📍gadishullin e Karaburunit dhe nuk mund të kthehej pas.
Mëngjesin e ditës së sotme, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi morën njoftim nga një operator turistik se një turiste e huaj kishte humbur rrugën në një zonë të pyllëzuar në Karaburun dhe kërkonte ndihmë. Menjëherë u krijua një grup pune nga shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi dhe Forca Delta, në bashkëpunim me specialistin e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë dhe Stacionin e Policisë Orikum, për të nisur kërkimet. 🚓👮🏻♂️
Pas disa orësh kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi i turistes austriake, në zonën e quajtur “Gjiri i Nezhës”, të cilës iu dha ndihma e nevojshme dhe u transportua drejt Himarës me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, në gjendje të mirë shëndetësore. Turistja falënderoi shërbimet për reagimin dhe mbështetjen e ofruar. 🙏
Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për të ndihmuar qytetarët dhe turistët në çdo situatë që kërkon ndërhyrje, duke garantuar sigurinë e tyre në çdo moment. 🚨 Për çdo rast emergjence, mund të kontaktoni në numrin pa pagesë 112. ☎️
(Balkanweb)