Harry Kane, sulmuesi i Bayern dha opinionin e tij para takimit të kthimit ndaj Interit në Champions.

A keni menduar më për rastet e humbura në ndeshjen e parë?
Unë nuk fle shumë pas ndeshjeve, veçanërisht pasi kam humbur raste. Por duhet të shqetësohesh nëse nuk u krijuan raste, jo nëse i humb. Pres nga vetja që të shënoj në raste të caktuara, por jam gati.

Ju keni folur për festimet e Interit, a mund të jetë një motivim shtesë për ju?
Mendoj se kemi motivim të mjaftueshëm pavarësisht çdo gjëje. Jemi të bindur se mund ta kthejmë rezultatin, edhe në ndeshjen e parë mund të kishte shkuar ndryshe. Nuk mendoj se Interi po e merr si të mirëqenë kualifikimin, mendoj se ata presin një betejë. Ne duhet të luajmë më mirë se në ndeshjen e parë dhe në një mënyrë më cinike. Por është një sfidë për të cilën jemi gati.

Çfarë mund të përmirësoni në ndeshjen e ardhshme?
Siç thashë, duhet të shqetësohesh më shumë kur nuk krijon raste shënimi. Portierët me të cilët jemi përballur kohët e fundit kanë luajtur shumë mirë, plus që kemi goditur shumë shtylla. Futbolli është i tillë dhe edhe nëse në ndeshjet e fundit kemi marrë më pak se sa do të kishim dashur, ne kemi luajtur mirë. Duhet të jemi më të saktë, si individualisht, ashtu edhe si ekip. Mendoj për turin e mëparshëm ndaj Leverkusenit, duhet të kemi të njëjtën qasje.

I keni provuar penalltitë?
Unë i provoj gjithmonë një ditë para ndeshjes, nuk kishte asnjë ndryshim në këtë rast.

Laimer tha se jeni i bindur për përmbysjen…
Jam dakord me të, edhe pas vërshëllimës së fundit në Mynih, ne ishim të bindur se kishim luajtur një lojë të shkëlqyer dhe se mund ta kthenim në ndeshjen e dytë. Kam luajtur në disa finale, shumë ndeshje të shkëlqyera, sekreti është të luash në maksimumin tënd, të mbrohesh mirë, të menaxhosh topin. Mundohem të jap një shembull, por kemi një skuadër me shumë përvojë në të gjitha nivelet. Mendoj ëpr Mylerin dhe të tejrë. Duhet të kemi qasjen e duhur mendërisht dhe duam të fitojmë.

Çfarë mendoni për nivelin që ka arritur Interi?
Ata janë një skuadër shumë e mirë në të dyja fazat e lojës. Ata krijojnë vështirësi sidomos me tranzicionet, kanë tre mesfushorë shumë të fortë me top dhe pa top. Jemi në çerekfinale të Champions League, pritet të luajmë kundër ekipeve më të mira në botë. Na presin momente të komplikuara, por duhet t’i përballojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Açerbi tha se ju jeni ndoshta qendërsulmuesi më i mirë në botë. Çfarë mendoni për këtë dhe çfarë mendoni për të?
Ne u përballëm javën e kaluar, ishte e vështirë. Ai është një lojtar i nivelit të lartë, me shumë përvojë. Më pëlqen të luaj kundër mbrojtësve më të mirë në botë, e falënderoj për komplimentet. Ka shumë lloje qendërsulmuesish, përpiqem të ndihmoj me cilësitë e mia bazuar në ndeshje, duke u përpjekur t’u jap shokëve të skuadrës versionin më të mirë të vetes. Do të jetë një betejë e vështirë nesër, e pres me padurim.

Ne kërkuam video të Interit duke festuar, por nuk ka asnjë provë për këto festime të veçanta…
Ndoshta ishte thjesht një ndjenjë në minutat e fundit, ose pas golave. Nuk mendoj se është diçka e madhe, por është diçka që pritet nga një ekip kundërshtar. Kur një ndeshje e tillë përfundon, emocionet shpërthejnë. Ishte një mbrëmje e hidhur, jo shumë skuadra e kanë mundur Bajernin në “Allianz Arena” dhe e kuptoj këtë. Nëse fitojmë nesër, do të festojmë ne, kështu është futbolli.

Kush është rivali juaj më i madh për titullin e golashënuesit më të mirë?
Rafinja është aty, Levandovski dhe Mbape gjithashtu. Unë nuk jam i fokusuar të bëhem golashënuesi më i mirë, por për të ndihmuar shokët e mi të fitojnë. Kjo është e vetmja gjë për të cilën shqetësohem, ndeshjet nuk kanë të bëjnë me mua, por me ekipin.

Çfarë mendoni për Lautaro Martinezin?
Ai është një lojtar i mrekullueshëm, prej vitesh një nga sulmuesit më të mirë. Ai shënoi një gol të mrekullueshëm në ndeshjen e parë, ai është një lojtar i rrezikshëm dhe mbrojtësit tanë e dinë këtë. Mendoj se ai i jep skuadrës shumë më tepër se golat, për mënyrën se si e ndihmon manovrën dhe se si ngacmon zotërimin e topit të kundërshtarëve. Ai është një lojtar që e respektoj shumë.

Kim u kritikua shumë pas ndeshjes së parë. Si e keni parë?
Mendoj se këto janë mundësi për t’u rikthyer për të dhënë më të mirën. Ne vuajmë dhe shënojmë si ekip. Mendoj se është diçka që ndodh në futboll dhe kritikat shërbejnë vetëm për të dhënë motivim shtesë. Ai ka qenë një nga mbrojtësit tanë më të mirë këtë sezon, jep gjithmonë gjithçka për ekipin dhe jam i bindur se nesër do të na japë një dorë, edhe falë përvojës së tij në Itali.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb