Pavarësisht se humbja ndaj Skënderbeut nuk la aspak një shije të mirë te Vllaznia, skuadra dhe ambienti i klubit kuqeblu, duket se nuk e ka përjetuar me “panik” këtë disfatë.Sipas asaj që mësohet nga burime pranë gazetës, do të ketë një analizë të thellë në momentin kur futbollistët do të kthehen nga pushimet 3-4 ditore, kjo për të vënë në pah gabimet dhe për t’i përmirësuar ato për ndeshjet e radhës.
Në një moment kur kanë mbetur edhe 6 takime nga përfundimi i sezonit të rregullt e po ashtu me ndeshjet e “Final 4”, në Shkodër kërkojnë që ekipi të jetë sa më i karikuar dhe i përgatitur. Një objektiv tjetër te Vllaznia ngelet edhe Kupa e Shqipërisë, ku kuqeblutë janë në gjysmëfinale.
Për këtë arsye, duket se, pavarësisht humbjes së fundit, qetësia mbizotëron në skuadrën kuqeblu. Megjithëse ekipi është brenda çdo objektivi, ende kërkohet një përmirësim i lojës nga i gjithë ambienti futbolldashës në qytet, ku skuadra e Brdariç ka shfaqur luhatje të shumta gjatë këtij edicioni. Duke mos shfaqur stabilitet dhe pavarësisht se rezultatet kanë qenë pozitive, kjo nuk garanton shumë në këto momente ku është edicioni tashmë.