Skënderbeu ia del të kualifikohet në turin e tretë paraeliminator të Ligës së Kampioneve dhe është një hap larg play-off-it, që në rastin më të keq do t’u hapte korçarëve dyert e fazës në grupe të Europa League, që do të ishte një rekord absolut ky në futbollin modern për Shqipërinë. Korçarët u mundën në “Sivju”, por u kualifikuan.

Në fakt, Skënderbeu ndërlikoi vetë, sepse rivali ishte me të vërtetë modest dhe shumë inferior. Mbrojtësi Arapi doli me karton të kuq në minutën e 11-të, pas një përplasjeje me mbrojtësin kundërshtar Bërns, duke i dhënë zemër skuadrës irlandezo-veriore, që sulmoi me forca të shumta, por me shumë pak saktësi, aq sa rrallë e goditi kuadratin e mbrojtur nga Orges Shehi. Megjithatë, një gol në fillimin e pjesës së dytë futi në tension korçarët, që u mbrojtën me vendosmëri në minutat në vazhdim dhe në minutën e 69-të me anë të Berishës gjetën golin që ua preu shpresat vendasve.

Më pas, gjithçka u bë më e lehtë për Skënderbeun, që shënoi edhe golin dytë me Latifin, në një kundërsulm të shpejtë, ndërsa në fundin e takimit korçarët “ia futën gjumit”, duke i dhuruar fitoren Krusejdërsit, që të paktën doli me kokën lart nga Liga e Kampioneve.

Do të jenë moldavët e Milsami Orhei kundërshtarët e kampionëve të Shqipërisë në turin e tretë të paraeleminatoreve të Champions League. Skuadra moldave fitoi 2-1 edhe takimin e dytë në shtëpi përballë bullgarëve të Ludogoretz Razgrad duke u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 3-1 pasi kishte fituar 1-0 edhe në “Ludogorets Arena” një javë më parë. Në këtë mënyrë është plotësuar edhe dëshira e bërë puiblike nga trajneri i Skënderbeut Mirel Josa, i cili edhe pse kërkoi t’i evitonte me çdo kusht komentet për kundërshtarët e rradhës në raunditn e tretë duke u fokusuar vetëm te përballja e kthimit me Krusejdërs e pranoi se preferonte Milsamin për vetë faktin se Ludogorets Razgrad ka luajtur vitin e kaluar në fazën e grupeve të Chmapions League ku ishte në të njëjtin grup me Realin e Madridit, Liverpulin dhe Bazelin.

Gjithsesi edhe pse një kundërshtar më i pranueshëm në pamje të parë duhet kujtuar se Milsami është surpriza e madhe e raundit të dytë të paraeleminatorev të Champions me elminimin që ju bëri bullgarëve dhe do të jetë padyshim një rival tejet i fortë për Skënderbeun.

(m.k/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: