TIRANE – Tirana u gdhi sot e blinduar, në pritje të Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry. Flamuj shqiptarë dhe amerikane janë vendosur përgjatë bulevardit kryesor “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë dhe në të gjitha rrugët kryesore të kryeqytetit, ndërsa kanë mbushur aksin Rinas -Tiranë që përshkroi Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, nga Aeroporti Nënë Tereza deri në Kryeministri.

Për të garantuar sigurinë e kësaj vizite të rëndësishme Policia e Shtetit, Efektivë të Gardës së Republikës, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe repartit RENEA janë në gatishmëri deri në përfundim të vizitës.

Për këtë vizitë, janë angazhuar mbi 1500 efektivë policie të cilët janë në gatishmëri për 8 orë për të kryer një kontroll të plotë të territorit dhe për të garantuar sigurinë e vizitës së kryediplomatit amerikan në vendin tonë.

Gjithashtu një helikopter i Forcave të Armatosura me një grup të Forcave Speciale të Ushtrisë monitoron nga ajri, ndërsa eskorta shoqërohej nga katër makina tip “Hummer”.

E gjitha rruga nga Aeroporti deri në bulevardin qendror dhe akset ku do të lëvizë John Kerry është bllokuar nën vëzhgimin e rreptë të forcave policore deri në orën 15:00.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: