NGA: ALISA VELAJ
Jo rrallëherë në interpretimet që rrekemi t’iu bëjnë teksteve letrare, u referohemi edhe thënieve që vetë autorët shprehin mbi “krijesat” e tyre. E njëjta gjë më ndodh sa herë përpiqem të reflektoj mbi prozat poetike të Trëndafile Vishës, përmbledhur pak kohë më parë në librin “I njëjti fat në 100 udhëtime”. “Me sa duket ne jemi të marrosur për atë dritëzën mes territ”, shkruan vetë Visha, në një dialogim, për njërën nga prozat e saj poetike. Kjo sentencë vlen si një çelës magjik për të zbërthyer shumë nga mesazhet që autorja përcjell në këtë libër, që për nga forma zhanrore, sjell një lloj teksti letrar të palëvruar nga askush tjetër para saj në letrat shqipe. Është një lloj proze poetike ku me anë të një paragrafi të vetëm, ose dy paragrafëve (të rralla janë prozat ku tekstet janë më të gjata se kaq) autorja ngërthen një kozmos të tërë meditimesh. Të gjitha këto copëza jete kërkojnë të gjejnë atë dritëzën mes territ, por për hir të një shkaku apo një shkaku tjetër, subjekti lirik, apo personazhet-hije nuk arrijnë ta gjejnë dot kurrsesi këtë dritë, ose e gjejnë një grimëkohë dhe e humbasin sërish.

“Dhe unë s’jam terri. As qeni. Jam një nga ju, ulur te pragu i shtëpisë duke parë botën tek përmbyset. Kohë më parë mendova lisin. Thashë aty do prehem. Por, tani, tani dhe ai po digjet. Dhe nuk mundem të di, nëse mbi hirin e tij do mbijë sërish lulja. Nëse do lindë sërish fëmija. Nëse burri do jetë burrë. Dhe gruaja, grua. Mes trupash, shpirtrash, e dëlirë dashuria. Se është i tmerrshëm vaji i qenve. E tmerrshme, heshtja…” Këto proza poetike përshkohen nga kreu në fund prej humorit të zi, thuajse njësoj si në tekstet-miniatura të shkrimtarit rus Danjill Harms. Përkufizimet bashkëkohore, për sa i përket humorit të zi në letërsi dhe dramë, i referohen një kombinimi të anës ngjethëse dhe asaj groteske, me humorin dhe farsën. Ky lloj kombinimi përçon te lexuesi efektet shqetësuese, absurditetin dhe mizorinë e jetës. Lexuesi i prozave të Vishës shqetësohet pa fund prej të njëjtit fat që e paraprin si rezultat final, paçka se pikënisjet e rrugëtimeve projektohen në kahje aspak të ngjashme me njëra-tjetrën. Fati i të gjitha rravgimeve të subjektit lirik dhe personazheve-hije (ngase ato kurrë nuk arrijnë të përndriten, pavarësisht marrosjes së tyre për ta mbërritur këtë prag) është në fund një fat mizor, me të vetmen shtegdalje terrin. Të gjitha përpjekjet i bjerrin kuptimet udhëve të absurdit dhe mizoria lulëzon si e vetmja bimë vrastare.

Subjekti lirik e pranon haptazi se ai është bërë për t’u qeshur, pasi në fund të fundit ai nuk arrin dot as procesin më elementar; atë të trupëzimit në një qenie të caktuar. Ky subjekt nuk është as terr dhe as qen, por një Gregor Zamza që gdhihet një mëngjes, në gjendjen mes njeriut dhe kafshës. Në prozat poetike të Vishës njeriu shtazërohet me dashjen e tjetrit dhe dashjen e vet. Njëlloj si në tekstet kafkiane, subjekti bën gjyqin e tjetrit dhe vetëgjyqësinë e tij. Dhe për çudinë më të madhe, si në gjyq, si në vetëgjyqësi, ai ka një kthjelltësi të mahnitshme. Një kthjelltësi që megjithatë nuk e ndihmon dot assesi të shkëputet nga terri në të cilin është zhytur.

Subjekti dhe personazhet-hije e kanë të pamundur të çlirohen prej prangave të territ, e kanë të pamundur të jenë lis. Simboli i lisit si qëndrueshmëri dhe vazhdimësi jetësore, shfaqet vazhdimisht në prozat poetike, njëlloj sikurse edhe në poezinë e autores, por jo për të treguar imazhin e De Radës në vargun e famshëm të “Milosaos”: “Lisa jeta kish ndërruar”, por për të vajtuar krejt ata që lisi ka zënë nën hijen e vet, pas një shtrëngate absurde, që udhëton në pakohësinë tonë ekzistenciale.
Kur ne lexojmë një tekst që zhvillon një vlerë mbi përvojën shpirtërore dhe përfshin perceptimin shpirtëror nga akti i leximit, atëherë lind një përvojë shpirtërore brenda nesh. (Stan Scott, Poetry and the Art of Meditation: Going behind the Symbols, p.77). Gjithçka përmbledh vëllimi me proza poetike “I njëjti fat në 100 udhëtime” janë përvoja shpirtërore të mbivendosura në formën e një kujtese-palimpsest, ku çdo shtresë kuptimore paraqet një dinamikë meditimi sa komike aq edhe tragjike, duke bërë që humori i zi të formësohet nga autorja në mënyrën e tij më të rafinuar. Ky humor i zi është i njëjtë me atë që shpalos shkrimtari rus Danjill Harms, ku personazhet përsërisin vazhdimisht të njëjtin veprim dhe nuk arrijnë dot asnjëherë tek akti përmbushës. Le t’i referohemi njërës prej prozave të tij për ta bërë më të kapshëm krahasimin tonë mes autores sonë dhe kolosit të letërsisë ruse, duke iu referuar njërës prej prozave të tij më tipike në këtë drejtim.

“Një plakë, nga kurioziteti i papërballueshëm u hodh nga dritarja, ra dhe u përshesh. Në dritare qiti krye një plakë tjetër që po bënte sehir mbi të përsheshurën poshtë, por nga kërshëria e papërballueshme edhe ajo u hodh poshtë, ra dhe u përshesh. Pastaj nga dritarja u hodh plaka e tretë, mandej e katërta dhe e pesta… Por, kur u hodh dhe plaka e gjashtë, mua m’u shpif kjo pamje dhe shkova në pazarin e Malcjevskijit, ku thonë se një të verbri i paskan dhuruar një shall të thurur me dorë”. (Danjill Harms, “Rënia e plakave”, përkthyer nga Agron Tufa)

Pra, personazhet e Vishës i prin përherë një fat tragjik, një udhëtim nëpër rrugë qorre. Ata bien e bien pa pushim brenda së njëjtës rrjetë, njësoj si plakat e Harmsit. Po në dallim prej autorit rus, ku jepet i gjithë tragjiciteti përmes situatave epike dhe është autori që rrëfen “bëmat” e personazheve të tjerë, tek autorja jonë epizmi dhe lirizmi shkrihen në një. Autorja përsiat mbi veten dhe të tjerët, duke mos e distancuar dot asnjëherë unin lirik prej qenieve jashtë saj. Stili i Vishës vjen me fjali telegrafike, shumë të ngjeshura, ku kujtesa-palimpsest të drejton drejt mesazheve-palimpsest. Leximi i prozave poetike fillon pikërisht në momentin kur sapo i ke mbaruar së lexuari me një frymë.

Po t’i referohemi Umberto Ekos, ironia ndërtekstuale hamendëson në këtë shpërfytyrim të parë të qenies një imantetizëm absolut, parashikon zbulime për ata që kanë humbur kuptimin e trashendencës. (Umberto Eko, Për letërsinë, Donika Omari, Tiranë 2007, f.226) Ironia në prozat e Vishës arrin shkallën e groteskut, ku e qeshura vetëm sa i ravijëzohet lexuesit ndër buzë, pasi vetëm një çast më pas, ai ndjen t’i bulëzojnë në shpirt ngjethja dhe absurdi, se pse në fund të fundit është bërë kaq për t’u qeshur dhe më pak për t’u qarë, në natën që feks si e vetmja dritë dhe në ditën që martohet pa dëshmitarë…
“Sot dita u martua pa dëshmitarë. Askush nuk e pa mashkullin në krah të saj. Përveçse drynit, në derën e madhe të bashkisë. Dhe kisha nuk i hapi dyert. Në xhami, besimtarët faleshin për hesap të tyre. Dhe nusja, goxha e thyer në moshë u betua me të panjohurin gjetkë. Nesër, sipas zakonit, do nderen në gardh çarçafët. Dhe njerëzia, si njerëzia presin (kur nuk kanë se çfarë presin tjetër…). A thua dita ishte e virgjër?! Visha paraqet përfundimisht një lloj teksti letrar që shpresojmë të krijohet si traditë e mëtejshme në letërsinë tonë, për t’i shprehur hijedritat dhe dritëhijet e shpirtit njerëzor edhe në dimensione të tjera letrare.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: