Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó, kanë nënshkruar ditën e sotme në Budapest Planin e Veprimit për trajnimin e nëpunësve të institucioneve shqiptare në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Hungaria, me përvojën e saj të suksesshme si anëtare e BE-së që nga viti 2004, do të ndihmojë Shqipërinë përmes programeve të dedikuara të trajnimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.
Në kuadër të marrëveshjes, Akademia Diplomatike Hungareze do të organizojë seminare për nëpunësit publikë shqiptarë, duke u fokusuar në përgatitjen për sfidat dhe arritjen e standardeve që kërkon procesi i negociatave me BE-në.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ministrja Pirdeni e vlerësoi Planin e Veprimit si një hap të rëndësishëm për forcimin e administratës publike shqiptare dhe përgatitjen e saj për integrimin në BE. “Duke përfituar nga përvoja e vyer e Hungarisë, ne synojmë të krijojmë një administratë më efikase dhe të përgatitur për të përmbushur detyrat e shtëpisë të këtij procesi historik,” deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, ministri Szijjártó rikonfirmoi mbështetjen e Hungarisë për potencialin e madh të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor si anëtarë të ardhshëm të BE-së.

Ky nënshkrim shënon një tjetër gur themeli në miqësinë dhe bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Hungarisë dhe pritet të forcojë lidhjet institucionale midis dy vendeve në përpjekjet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Marrëveshja e sotme është një nga dy marrëveshjet që do të nënshkruhen përgjatë vizitës zyrtare 2-ditore të Ministres Pirdeni në Budapest.

Kjo vizitë mbahet në javët e fundit të Presidencës Hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila, pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin I të Themeloreve në tetor, vetëm pak ditë më parë njoftoi dritën e gjelbër për hapjen e negociatave edhe për Grupkapitullin VI që ka në fokus Marrëdhëniet e Jashtme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb