Teksa lideri i Koresë së Veriut dhe ai i Jugut u takuan në Phenian në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, në Korenë e Jugut u mbajt një samit tre ditor dhe një festival madhështor për mbështetjen e projekteve të paqes. Ky event i rëndësishëm zhvillohet çdo vit nga organizata ndërkombëtare joqeveritare për Kulturë Hyjnore dhe Paqe Botërore HWPL, me qëllim adresimin e masave për ndërtimin e paqes në botë përmes një qeverisjeje të përbashkët mes qeverive, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare. Në festival morën pjesë mijëra përkrahës të projektit në fjalë, të cilët kërkojnë vendosjen e paqes mes dy Koreve dhe ndalimin e luftrave në botë.

Kreu i organizatës HWPL, Man Hee Lee, gjatë fjalës së tij në samitin tre ditor, ku ishin të pranishëm mbi 600 përfaqësues nga e gjithë bota vuri theksin tek ligji ndërkombëtar për paqe.

“Mendoj se gjithcka që ne kemi planifikuar për arritjen e paqes do të përfundojë në sajë të bashkëpunimit me ju. Asnjë nuk dëshiron të këtë luftë. Tashmë duket se bota po mirëpret epokën e paqes. Deklarata e  Paqes e hartuar nga ekspertë të ligjit ndërkombëtar ofron qasje praktike për të ndaluar konfliktet”.

Një ndër çështjet kyesore që u trajtua nga oragnizata HWPL ishte qasja paqësore për unifikimin e dy koreve dhe zhvillimi i kulturës së paqes përmes arsimit. Projektet e paqes janë miratuar në disa pjesë të botës përmes Deklaratës së Paqes dhe Ndalimit të Luftës në vitin 2016, në sajë të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vendosjes së paqes si normë dhe kulturë.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb