TIRANE – Paketa fiskale për vitin 2015 ka hyrë në fuqi nga data 1 janar. Tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) u bë 15% nga 10% që ishte deri 31 dhjetor 2014. Përjashtim nga kjo rritje bëjnë të ardhurat bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët. Ndërkaq, fondi i pensionit vullnetar i administruar nga shoqëria administruese e fondeve të pensionit vullnetar, përjashtohet nga ky tatim. Shtatë mijë anëtarët e fondeve private të pensioneve do të përfitojnë nga kjo masë, pasi kontributi i paguar për pensionin nuk do të tatohet. Pas këtij ndryshimi, dividendët, interesat nga huat, depozitat bankare ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera, tatohen me 15 për qind. Një rritje të ndjeshme pritet të ketë në transaksionet e pronave të patundshme. Sipas ndryshimit , “Kalimi i të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë ndërtesa, tatohet me 15 për qind të fitimeve të realizuara”.

Tregu i sigurimeve

Nga 1 janari, do të zbatohet përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i primeve të shkruara për produktet e jojetës, (duke sjellë trajtimin e tyre fiskal sipas direktivës europiane), masë kjo me një efekt 500 milionë lekë minus nga të ardhurat prej TVSH-së, ndërsa vendoset një taksë e re kombëtare, prej 3% mbi to. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin 2015 do të jetë rreth 220 milionë lekë. Efekti neto në të ardhurat nga këto dy taksa do të jetë negativ, me rreth 280 milionë lekë, por vlerësohet që këto ndryshime të jenë faktor nxitës për shtimin e aktivitetit të shërbimit të sigurimeve, që ende vuan nga standarde të ulëta, krahasuar me BE-në dhe fqinjët.

Taksa e qarkullimit

Kostot e mirëmbajtjes së infrastrukturës së rrugëve dhe efektet që shkakton përdorimi i karburanteve në mjedis janë argumentet që dha qeveria për rritjen e taksës së naftës. Rritja e miratuar është 10 lekë/litër i taksës së qarkullimit, ose nga 17 lekë/litër në 27 lekë/litër.

Dogana zero për disa produkte

Ndërkaq, në ditën e parë të këtij viti hynë në fuqi ndryshimet e tarifave doganore, të cilat paraqesin një lehtësim për industrinë, bujqësinë e blegtorinë dhe industrinë e miellit dhe bukës. Ndryshimet kryesore janë: ulja e tarifës doganore për naftën bruto prej 10% në 0%; bërja 0% e tarifës doganore për miellin e grurit, që aktualisht është 10%; bërja 0% e tarifës doganore për importin e produkteve që shërbejnë si lëndë të para për industrinë apo blegtorinë (si p.sh. gruri, ushqimi për kafshët, zogjtë njëditorë, derrat nën 30 kg, viçat nën 160 kg); bërja 0% e tarifës doganore për materialin biologjik, që aktualisht është 10%; bërja 10% e tarifës për gomat e reja pneumatike, që aktualisht është 15%.
(er.nu/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: