Ndryshimet kushtetuese të miratuara unanimisht nga parlamenti në mesnatën mes 21-22 korrikut hyjnë në fuqi sot. Dokumenti me nr.138 i datës 27 korrik 2016 në Fletoren Zyrtare është tejet i rëndësishëm, pasi aty janë publikuar edhe ndryshimet e Kushtetutës. Botimi i ndryshimeve kushtetuese në Fletoren Zyrtare erdhi një ditë pas presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi ligjin që i hap rrugë reformës në drejtësi, proces që zgjati për muaj me radhë dhe nuk kaloi pa përplasur palët politike, por nuk u kursyen edhe ndërkombëtarët.


Por edhe pas gjithë kesaj, reforma është ende e paplotësuar, për sa kohë 7 ligjet organike që e shoqërojnë atë dhe e bëjnë funksionale, ende nuk janë miratuar. Debati në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi ka mbetur të drafti i ripunuar i Euralius për Vettingun. Duke i shtuar këtu edhe periudhën e nxehtë të pushimeve verore të këtij gushti, gjasat për ta përfundur reformën brenda këtij sesioni janë në pikëpyetje. Kushtetuta e re detyron presidentin që brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve, pra 11 gushti, të nisë procedurën për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Por aktualisht, mungon ligji për kriteret e KED.


Edhe nëse sot, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, të mblidhet parlamenti për ta miratuar këtë ligj, afati i përcaktuar në kushtetutë, pra 16 gushti, nuk ka shance të kapet, për sa kohë ligjit i duhen edhe 15 ditë të tjera për të hyrë në fuqi. Pra, sipas presidentit Nishani, kushtetuta e re sapo ka nxjerrë ngërçet e para. Afat ka edhe për nisjen e procedurave për ngritjen e strukturave që do të bëjnë Vetingun.


Brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, që do të thotë deri në fund të shtatorit, presidenti duhet të ketë përfunduar organizimin e procesit të aplikimit dhe hartimin e listës me kandidatët që plotësojnë kriteret. Një tjetër institucion që do të ngrihet me ndryshimet e reja në Kushtetutë është Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Inspektori emërohet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dy institucione të tjera që parashikohet të ngrihen në sistemin e reformuar të drejtësisë shqiptare janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Të dy këto institucione duhet të ngrihen brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve. E ndërsa për këto të fundit ka ende kohë, Vettingu dhe KED janë më prioritaret për politikën këtë gusht. Seanca për miratimin e Vettingut duhet të jetë brenda gushtit, për t’i hapur rrugë ngritjes së institucionit të ri.

Por gjasat tregojnë se deri më 20 gusht, mund të mos kemi aspak jetë parlamentare, pasi burimet pranë qeverisë pohojnë se kryeministri Rama i ka dhënë deputeteve kohë për pushime, por pa përjashtuar edhe situatën e gadishmërisë për t’iu kthyer seancës plenare të jashtëzakonshme.

(d.b/BalkanWeb)