Nga IV KALOÇI*

76-vjeçari Hysen Tabaku, apo Ceni, siç njihet ndryshe nga familjarët dhe të gjithë miqtë e tij, me shtetësi amerikane, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1975, rrëfen për herë të parë për “Gazeta Shqiptare”, historinë e tij dhe të familjes, që nga burgosja e babait dhe nënës, torturat ndaj tyre derisa treguan floririn, internimin e familjes dhe vuajtjet e tyre në fshatin Baldushk të Tiranës, vdekjen e prindërve dhe varrosjen e tyre në mënyrë tragjike në oborrin e shtëpisë, arratisjen e motrës në Jugosllavi në vitin 1956, arratisjen e vetë Cenit në vitin 1975, pasi kishte bërë burgun e parë, pasojat që ranë mbi bashkëshorten dhe dy djemtë që la në tiranë, arratisjen e të vëllait Engjëllit, një vit më pas, arratisjen e vëllait tjetër, Yllit nga burgu i Fushë-Krujës dhe 28 vitet e tij të burgut dhe deri tek jeta e Cenit në SHBA, ku e ndihmoi për t’u stabilizuar ish-shoku i tij i ngushtë, Xhevdet Mustafa.

Sot, në pjesën e fundit, Hysen Tabaku dëshmon për peripecitë e tij në ish-Jugosllavi dhe si mundi ai që nga Italia të fitonte azilin politik për në SHBA, ku e ndihmoi të stabilizohej me punë, ish-shoku i tij i rinisë, Xhevdet Mustafa. Pse e kishte refuzuar Ceni planin e arratisjes me Xhevdetin në vitin 1961 dhe cilët janë personazhet e zbulimit shqiptar që vepronin në SHBA, të cilat ai i ka trajtuar te libri i tij, “Ëndërr komuniste”…?!

(vijon nga numri i kaluar)

Sa kohë qëndruat në Jugosllavi?

Aty kam ndenjur 5 muaj.

Në kamp?

Shiko, unë u bëra i lirë, më dhanë azil politik jugosllavët, se u bindën dhe e pranuan që unë isha i arratisur dhe jo i dërguar nga Sigurimi i Shtetit. Ata kishin kanalet e tyre sekrete që kalonin në vrimë të gjilpërës këdo që kalonte kufirin dhe nuk mund t’ua hidhje kollaj. Motra që kisha në Jugosllavi që nga viti 1956-të, më doli garante dhe mbështetëse. Ne fillimisht kërkuam azil politik në Kosovë, ku ishte motra, po autoritetet e UDB-së kosovare nuk na pranuan. Ndoshta ngaqë shkuam ne në Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi, në Podgoricë, që i thonin Titograd në atë kohë. Aty doli një titullar shumë i madh, që na tha se do të rrinim në Jugosllavi. Në muajin prill, unë ika përsëri, u arratisa për së dyti dhe dola në Itali. Udhëtova me tren, ishte aventurë. Po jugosllavët na kapën edhe një herë tjetër e për fat të keq, ai që na kapi ishte ushtar kosovar, i cili na tha: “Aman more, po ta kisha ditur se jeni shqiptar, do ju kisha lenë të ikni. Aman, – i thamë ne – vetëm në Shqipëri mos na çoni, po këtu na mbani sa të doni, s’ka gjë, rrimë edhe në burg këtu”. Ata na mbajtën disa ditë në burg e më pas erdhi një oficer e na tha se do na nxirrte në Trieste, duke na thënë: “Kini kujdes, mos thoni asgjë se ju kemi kaluar ne”. Na treguan ata se poshtë në rrugë, vinte një autobus bregut detit. E ndaluam atë autobusin dhe me një italishte të çalë i thamë: “Do të na çosh në Kuesturë. Mirë, – na tha ai, e me gjithë pasagjerë e me gjithë autobus na çoi në derën e Kuesturës. Aty filloi një proces tjetër, na çuan edhe në një kamp aty në Trieste. Dokumentet tona na i shqyrtoi Komisioni i Gjenevës për të Drejtat e Njeriut. Kryesisht ishin italianë dhe amerikanë. Aty dola i njohur më pas me një vajzë dhe me ca miq të tjerë. Shkova në Romë se nuk doja të jetoja në kamp. Aty ishte një kishë që quhej ‘Kisha e përbotshme’, e ata më caktuan aty në punë me rrogë si emigrant politik. Po kështu, më gjeten edhe apartament banimi dhe më pas unë fillova të punoj si saldator. Nuk më dilte rroga dhe punoja edhe punë të tjera, por kam ndenjur aty dy vjet dhe ajo ka qenë periudha më e bukur e jetës sime deri në atë kohë, pasi u kënaqa me lirinë time personale. Një liri e vërtetë dhe më kënaqte e më qetësonte fakti se që nuk kisha frikë se isha i survejuar. U ndjeva kaq i çliruar se e kam shijuar shumë atë periudhë dyvjeçare…

Kur u larguat që andej për në SHBA?

Në tetor të vitit 1977 fitova azilin politik dhe shkova në SHBA. Një mik i imi i ngushtë më dërgoi dokumentet e garancinë për të shkuar e për jetuar në shtëpinë e tij. Emri i tij është shumë i njohur për shkak të aventurës që ai bëri në Shqipëri në shtatorin e vitit 1982. Xhevdet Mustafa quhej. Ai ka qenë një mik i ngushtë i imi dhe më ka ndihmuar shumë në atë kohë. Jetova për disa kohë te shtëpia e tij, ku ai kishte një servis të madh makinash dhe vetë punonte edhe si llamarinist. Aty punova nja 5-6 muaj dhe më pas u largova duke u rregulluar në shtëpinë time. Pastaj si të gjithë qytetarët amerikanë.

Nga dhe në ç’rrethana e keni pas njohur Xhevdet Mustafën?

Në Shqipëri Xhevdeti ka qenë në burg me vëllanë tim, Enjgjëllin dhe nga ky fakt, edhe unë njihesha me të. Xhevdeti përpara se të arratisej, më propozoi edhe mua që të shkoja bashkë me të në Jugosllavi. Unë i pashë këpucët të cilat i kishte si me majë, këpucë çekosllovake, i kanë pas thënë atëherë, e i thash: “Me këto këpucë do të shkosh ti atje? – Po – më tha ai”, po unë i thash; “jo nuk vij. Mirë – më tha – si të duash”. Ai e kishte pasur me të vërtetë, por unë kujtoja se tallej. Kur u arratisa unë dhe dola në Ulqin, u lidha me të dhe ai filloi të më ndihmonte me para e me gjëra që janë shumë personale dhe nuk ka interes për publikun. Xhevdeti ishte shumë djalë i mirë, shumë familjar, i rregullt dhe mjaft punëtor i madh. Mbi të gjitha ka pasur një zëmër të madhe dhe ka ndihmuar shumë shqiptarë, të njohur dhe panjohur. Ai ka pasur bindje zogiste, ma ka thënë vetë këtë gjë, madje e di se ka qenë edhe në dasmën e Mbretit Leka Zogu, në Spanjë në mos gaboj. Xhevdeti më ka pas treguar edhe fotot që kishte bërë më Mbretin Leka në dasmën e tij.

Si vijoi jeta juaj më pas në SHBA, po me familjen tuaj që kishit lënë në Shqipëri, a komunikonit, a kishit lidhje me letra?

Po ju tregoj fillimisht për familjen time që lashë në Shqipëri. Bashkëshortja dhe dy djemtë, natyrisht që patën persekucione dhe u trajtuan shumë keq nga regjimi, duke vuajtur deri për bukën e gojës. Gruan fillimisht e hoqën nga puna dhe ndër njerëzit që iu gjeten në atë kohë për ta ndihmuar ka qenë bashkëshortja e shkrimtarit të njohur, Sulejman Mato, të cilin ajo e kishte shoqe të ngushtë pune dhe jete. Gjej rastin të falenderoj atë familje fisnike për ndihmën që i dhanë familjes sime që lashë në atë kohë. Unë komunikoja me letra me gruan dhe u dërgoja dollarë asaj dhe dy djemve, afërsisht një rrogë e vogël mujore, që për atë kohë nuk ishin pak. Po kurrë nuk e harrova familjen në Shqipëri. Kështu, në shtatorin e vitit 1990-të, kur gjërat kishin filluar të ndryshonin për mirë, unë i bëra garancinë djalit të madh, Tonit dhe ai erdhi në SHBA. Vajta unë dhe e prita në Budapest. Tani ai jeton në Las Vegas dhe ka krijuar biznesin e tij e është mjaft mirë nga gjendja ekonomike. Ndërsa djali tjetër, Endry, ka ardhur në SHBA në vitin 1994. Edhe ai ka krijuar familjen e tij duke u martuar me një vajzë shqiptare, kanë dy fëmijë dhe janë shumë mirë nga gjendja ekonomike. Pra, unë dhe dy djemtë kemi ruajtur traditën e familjes dhe jemi martuar me gra shqiptare.

Para se t’ju pyes se si vijoi jeta juaj në SHBA, desha t’ju pyes se kush mbeti në Shqipëri nga familja juaj?

Nëna dhe babai siç ju thashë pak më lart, vdiqën në internim në fshatin Baldushk dhe në Shqipëri mbetën tri nga motrat, (njëra ishte e martuar në Kosovë dhe ndodhej jashtë) dhe vëllai Ylli, që ishte në burg dhe vuajti plot 28 vite. U dënua aq shumë edhe për faktin se u ridënua në burg, pasi tentoi të arratisej nga burgu i fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, ku e kapën larg nëpër fusha pasi e kishin plagosur me parë. Ndërsa vëllai tjetër, Engjëlli, pasi kishte bërë 5 vite burg politik, një vit më pas, pra më 1976-ën, u arratis nga Shqipëria, pikërisht në të njëjtin vend që isha arratisur unë në Bregun e Bunës.

Po kthehemi tek ju, si vijoj jeta juaj në SHBA?

Edhe pse kishim shpresë se do vinte një ditë që komunizmi në Shqipëri do të rrëzohej, përsëri ajo ditë na dukej e largët dhe nuk e mendonim se do vinte aq shpejt, ashtu siç erdhi. Në këto kushte, unë u martova përsëri në SHBA me një vajzë shqiptare dhe krijova familje të re. Gerta Qosja, quhet bashkëshortja ime, ja kjo që është këtu me mua dhe ne kemi dy vajza Sabrije dhe Kimberlyt.

Nga është Gerta dhe në ç’rrethana ndodhej ajo asokohe në SHBA?

Nëna e Gertës është durrsake. Edhe unë jam durrsak, se kam lindur në Durrës, pavarësisht se kam ndenjur në Tiranë. Familja ime ka jetuar në Durrës për shumë kohë e kemi qenë komshinj me familjen e Gretës. Ndërsa babai im, Ramazan Tabaku, ka pasur marrëdhënie pune me babain e saj, Ramazan Qosen, si tregtarë dhe si komshi gjithashtu. Kur i ati i Gertës, Ramazani, ishte e vogël 6-7 vjeç, e mbante dhe e lante nena ime dhe e vinte në krevat natën të flinte me fëmijët e tjerë. Ai ishte rritur me ne. Kur vajta unë në SHBA, familjarët e tij atje, me thanë që do të njihesh me vajzën tonë. Unë nuk kisha kohë dhe u thoja se kur të vij t’ju takoj juve, do e njoh dhe atë. Një ditë më bën telefon e ëma e Gertës dhe më thotë të shkoja për darkë tek ata. Unë shkova se nuk kisha ndonjë punë. Shkova e prita me autobus se ishte nja dy orë larg. Kjo erdhi me një makinë sport, e veshur me një peliçe të bukur dhe un thash: “ç’qenka kjo italiane” se unë djalë i ri isha, e kish qejfe të tjera. Kjo kaloi kështu një herë me makinë dhe u kthye duke ma bërë me dorë ‘ti?’. Aty u takuam dhe pas ca kohësh u martuam me të gjitha rregullat dhe zakonet shqiptare, pasi të dyja familjet tona kanë qenë të njohura që në Durrës në vitet e Monarkisë së Zogut dhe e kanë vazhduar miqësinë në mes tyre deri me ardhjen e komunistëve në pushtet, kur ne na burgosën dhe na internuan.

Zoti Hysen, po i drejtohemi dhe e pyesim vetë Gertën të na thotë diçka për familjen e saj dhe si mundën ata që të arratiseshin nga Shqipëria?

Gerta Qosja: Familja e babës, Qosja, është familje tiranase, ndërsa nënën e kam durrsake. Babai bëri dy vjet e gjysmë burg, mbasi hyri komunizmi këtu (1945-1947) derisa tregoi se ku e kishte pasurinë dhe florinjtë, se ka qenë tregtar i pasur. Kur e liruan prej burgu, një prej oficerëve aty që e njihte, i thotë se do ta vrisnin. Kështu ai vendosi për t’u arratisur. Donte ta merrte nënën me vete, por ajo nuk ikte pa fëmijët, isha unë dhe motra ime më e vogël. Ajo ishte 8 muajshe, ndërsa unë 3 vjeçe. Babai vendosi më në fund të më merrte mua, por jo motrën.

Kur dhe nga ç’vend u arratisët?

Në vitin 1950 nga liqeni i Shkodrës për në Jugosllavi. Aty kemi ndenjur gati një vit në Sarajevë, në një kamp refugjatesh. Nga aty, kemi shkuar në Trieste në Itali, prapë në kamp e me pas u vendosëm në Romë, ku ndenjëm 6 vjet e gjysmë duke pritur që të hapej Shqipëria e të ktheheshim mbrapsht.

Si të hapej Shqipëria?

Po ja që të falimentonte dhe të rrëzohej komunizmi. Ne prisnim edhe 6 muaj, edhe 6 muaj, se kaq mbaj mend si fëmijë. Sepse vinin lajme se edhe 6 muaj do të qëndrojnë komunistët në pushtet. Këto ishin shpresat që ndiente familja jonë nga bisedat me miqtë, se në Romë ne kishim miqësi me shumë shqiptarë që ishin arratisur dhe të gjithë ushqenin këto shpresa. Kështu pritëm 6 vjet e gjysmë dhe nuk u hapën rrugët, e në atë kohë na erdhi garancia për në Amerikë. Në vitin 1956 shkuam në SHBA, si emigrantë politikë. Unë isha 9 vjeçe. Avioni që erdhëm për në SHBA ishte i vogël e i mbushur vetëm me shqiptarë, emigrantë si ne.

Ju kujtohen cilët kanë qënë?

Ka qenë Ramazan Turdiu, Sali Toptani me të cilin kemi pasur miqësi gjithmonë, Vasil Antoni, që ishte me
ballistët e shumë të tjerë që i njihnin prindërit, se unë isha e vogël. Fillimisht u vendosën në New Jersy dhe aty filluan të punonin prindërit. Babai punonte natën, nëna ditën e kështu takoheshin kalimthi me njeri-tjetrin. Unë fillova shkollën. Kemi bërë një jetë të rehatshme atje, megjithëse kemi ndihmuar gjithmonë njerëzit në Shqipëri, se nisur nga skamja e madhe që mbretëronte asokohe këtu, ne gjithmonë dërgonim pako mbas pakoje.

Po si shkoi fati i motrës suaj të vogël që mbeti këtu?

Motra ngeli me gjyshen e me xhajat e hallat, se ishin shumë njerëz në shtëpi këta nga babai. Në vitin 1990-të e kemi marrë në Amerikë, atë e shumë të tjerë të familjes.

Në fund të kësaj interviste të gjatë, për ta mbyllur, po i rikthehemi z.Hysen. Ju keni botuar një roman voluminoz me titull ‘Ëndrra komuniste’. Ç’farë mesazhesh përcillni aty për bashkatdhetarët tuaj?

Qëllimi im kryesor me librin ka të bëjë vetëm me përafrimin ndërmjet shtresave të ndryshme të popullsisë, por eliminimin e paragjykimeve, që ky është çam, ai kosovar, ky është tropojan e ai nga Konispoli. Unë kërkoj vëllazërimin e të gjithë popullit, e të ecim përpara drejt horizonteve të reja që i hap jeta politike me demokracinë në Shqipëri. Aty në libër ka personazhe të Sigurimit të Shtetit dhe tregohet se si punonin ata nëpër vendet e huaja, cilët janë elementët e tyre, etj., etj., që janë pak a shumë të dhëna reale. Le të mos përdorim një fjalë vulgare ‘spiunë’, pasi ai ka qenë aktivitet zbulimi dhe ata janë paguar me rrogë. Spiunët janë vullnetarë, e kjo është për t’u çuditur. Ata ishin zbulues jashtëzakonisht të kulturuar e të sjellshëm. Ndiqnin muzikën klasike, dinin gjuhë të huaja, por prapë në mendje dhe zemër kishin yllin e kuq. Por libri im “Ëndërr komuniste” është keqkuptuar nga njerëz të ndryshëm dhe ma kanë shprehur vetë keqkuptimin, por po të lexohet me vëmendje, aty del qartë çdo gjë. Pra, që ëndrra komuniste ishte thjesht një utopi dhe një zhgënjim i madh. Veç të tjerave në librin tim, unë kërkoj që kurrë të mos harrojmë. Ato që kanë ndodhur e ato që janë bërë, nuk zhbëhen më, prandaj zgjidhja më e mirë e me logjikë për njeriun e për shoqërinë tonë të sotme e të re, jo “Njeriun e ri” që propagandoi për gjysmë shekulli regjimi komunist i Enver Hoxhës, se ai na doli skarco, doli me defekt. Prova e komunizmit ishte me skarcitet që i krijoi dëm të tmerrshëm Shqipërisë. Nuk më besohet që shqiptari i sotëm nuk përpiqet të vëllazërohet me njëri-tjetrin. S’ka të bëjë me faktin se ai ka qenë i Sigurimit, kriminel, polic, roje, punëtor etj., ai ka qenë një njeri me tru të shpëlarë, një njeri që nga ana kulturale nuk ka qenë i aftë ta perceptojë e ta shohë të vërtetën se ku jemi ne. Nuk e kanë ditur se ku të çon kjo rruga drejt socializmit. Ne silleshim rreth një vorbulle utopish. Duhet të falim e të mos harrojmë. Unë jam qytetar amerikan dhe jam shumë krenar për këtë fakt, por Shqipëria është vendi im dhe e dua më shumë. Sa herë që mendoj për Shqipërinë, mendoj për nënën time. Unë jetoj në Florida, ndjek politikën amerikane dhe në fushata elektorale kam ndihmuar dhe ndihmoj republikanët e Xhorxh Bushit, por lexoj gazetat e gjithçka që kam mundësi për Shqipërinë. Nuk e heq për asnjë çast nga mendja Shqipërinë dhe varrin e nënës.

Z. Hysen dhe znj Gerta, ju falenderojmë për intervistën tuaj.

Edhe ne ju falenderojmë shumë ju dhe nëpërmjet jush redaksinë e “Gazeta Shqiptare”.
(Fund)

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: