NGA IV KALOCI

Historia tragjike e familjes së Ramazan Tabakut, tregtarit të madh tiranas që financoi luftën partizane në Pezë dhe pas përplasjes me Enver Hoxhën, si deputet e kryetar i Komitetit të Grumbullimeve, u dënua me 25 vite burg me Grupin e Deputetëve. Si u goditën pa mëshirë të gjithë pjesëtarët e familjes së tij, arratisjen e dy djemve nga Shqipëria dhe peripecitë e pafund të familjes që vuajti plot 109 vite burg e internim…

Hysen Tabaku: “Ju rrëfej tragjedinë e familjes sime dhe arratisjen nga Shqipëria në vitin 1975”
76-vjeçari Hysen Tabaku, apo Ceni, siç njihet ndryshe nga familjarët dhe të gjithë miqtë e tij, me shtetësi amerikane, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1975, rrëfen për herë të parë për “Gazeta Shqiptare” historinë e tij dhe të familjes që nga burgosja e babait dhe nënës, torturat ndaj tyre deri sa treguan floririn, internimin e familjes dhe vuajtjet e tyre në fshatin Baldushk të Tiranës, vdekjen e prindërve dhe varrosjen e tyre në mënyrë tragjike në oborrin e shtëpisë, arratisjen e së motrës në Jugosllavi në vitin 1956, arratisjen e vetë Cenit në vitin 1975, pasi kishte bërë burgun e parë. Pasojat që ranë mbi bashkëshorten dhe dy djemtë që la në Tiranë, arratisjen e të vëllait, Engjellit, një vit më pas, arratisjen e vëllait tjetër, Yllit nga burgu i Fushë-Krujës dhe 28 vitet e tij të burgut deri te jeta e Cenit në SHBA, ku e ndihmoi për t’u stabilizuar ish-shoku i tij i ngushtë, Xhevdet Mustafa. Si u njoh ai me vajzën e re shqiptare, Gerta Qosja, me familje të arratisur nga liqeni i Shkodrës kur ajo nuk ishte më shumë se 3 vjeçe? Këto dhe të tjera histori tragjike dhe rrënqethëse do t’i ndiqni me poshtë në këtë intervistë të gjatë, që Cen Tabaku jep ekskluzivisht për lexuesit e kësaj gazete.

Zoti Hysen, cila është origjina dhe e kaluara e familjes suaj dhe përse babai juaj, Ramazan Tabaku, i cili pas vitit 1944 mori një post të rëndësishëm në qeverinë e Enver Hoxhës, si ministër i Grumbullimeve, u godit nga regjimi komunist?
Origjina e hershme e familjes sonë është nga Tirana, por ne kemi banuar shumë kohë në Durrës, pasi kemi qenë familje tregtarësh. Ne vitin 1939, kur u bë pushtimi italian i Shqipërisë, babai im, Ramazani, përkrahu forcat që akoma nuk ishin komuniste, por ishin forcat antifashiste çlirimtare kundër okupatorit. Babai im ka qenë një nga themeluesit e çetës së Pezës dhe i kishte miq të ngushtë krerët drejtues të saj, pasi Myslym Peza kishte qethur flokët e vëllait tim, e kishim kumbar. Kajo Karafili, (atentator dhe Hero i Popullit) gjatë kohës që ishte me Çetën e Pezës, u strehua disa kohë te shtëpia jonë, se u plagos nga duart. Babai në atë kohë e ka ngritur Pezën nga fuqia ekonomike e financiare, sepse ishte një idealist dhe patriot, që e donte shumë Shqipërinë. Në ato vite babai kishte një miqësi të ngushtë edhe me Shefqet Bejën, një patriot i madh, antifashist i bindur, i cili po ashtu si babai ynë, ka pas dhënë një kontribut të madh në financimin e çetës së Pezës dhe gjithë lëvizjes antifashiste në atë krahinë. Por të ndalem te babai im, Ramazani, i cili kishte shumë pasuri dhe në të njëjtën kohë bënte shumë propagandë për të fuqizuar forcat partizane. Kur ka qenë babai im në mal, ka qenë në të njëjtën kohë dhe bashkë me Rrahman Perllakun, Spiro Moisiun e Omer Nishanin. Kur erdhi çlirimi, babai kishte fuqi dhe mjaft kredibilitet në udhëheqjen e vendit të asaj kohe, kjo deri në vitin 1946. Në 1946-ën u bë reforma agrare e babai u dëshpërua shumë se pak para saj, ne na morën pasuritë, apo më saktë, na i shtetëzuan. Ne kemi shumë pasuri në rrethin e Durrësit, si në plazh, në një fshat që quhet Shkallnur, etj. dhe reforma na i mori të gjitha. Më 11 janar të vitit 1946, në një mbrëmje që bënë në hotel “Dajti”, babai bëri debat me Enver Hoxhën. Ndër të tjera gjatë asaj bisede, Enveri i thotë: “Ramazan, tani do të kemi shumë punë, se e formuam Republikën Popullore të Shqipërisë…”. Ndërsa babai i përgjigjet “Enver, atë punë mbaje për vete…, se unë nuk kam për të punuar më…”. Enveri i thotë: “Ti duhet të bësh diçka, se je vëlla dëshmori…”! (Në fakt, në familjen e babait tonë kemi një dëshmor, Abdulla Tabaku, por ai në nuk është vëllai i babait tonë. Për faktin se babai e ka rritur atë, e dinin të gjithë se e kishte si vëlla, por në fakt e kishte djalë xhaxhai. Abdullai pati një fat tragjik, pasi u kap nga gjermanët duke çuar municion në çetën e Pezës, u internua në Mat’hauzen, ku dhe vdiq nga torturat.
Të ndalemi te biseda e babait tuaj me Enver Hoxhën, ç’ndodhi më pas?
Pas bisedës me Enverin, babai ankohet te Myslym Peza duke i thënë se i është shtetëzuar toka dhe pasuria, por Myslymi nuk i jep asnjë shpresë se mund ta ndihmonte.
Pra, në një farë mënyre babai juaj nuk u pajtua me politikat e regjimit komunist të sapoardhur në fuqi asokohe, apo siç thuhej ndryshe, me Pushtetin Popullor…?
Jo vetëm që nuk u pajtua, por më keq, u zhgënjye shumë. Babait i ngeli hatri, (siç më ka treguar vetë kur kam folur me të vite më vonë), sepse nuk i donte jugosllavët dhe adaptimin e politikave ekonomike tonat me sistemin e tyre. Babai njihte mirë sistemin kapitalist perëndimor, pasi kishte bërë tregti me Italinë. Por mes popullit e udhëheqjes, asokohe ishte ndezur një zjarr dashurie, që babai nuk e konceptonte dhe nuk e suportonte dot. Unë kam qenë i vogël asokohe, por e mbaj mend kur turmat e njerëzve bërtisnin rrugëve të qyteteve në gjuhën serbo-kroate me parullën “Vëllazëri, unitet”. Babai përveçse ishte deputet, e kishin venë në një funksion, si biçim ministri i Grumbullimeve, por pa portofol. Në vitin 1947, babain e arrestojnë me të ashtuquajturin Grupi i Deputetëve, i cili kryesohej nga Shefqet Beja. Pas një periudhe të gjatë hetuesie tepër të vështirë, doli në gjyq me Grupin e Deputetëve dhe fillimisht e dënuan me pushkatim, por më pas ia falën jetën meqë ishte vëlla dëshmori dhe e dënuan me 25 vite burg. (Fotoja e babait tonë, Ramazan Tabakut në gjyq, ndodhet edhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë, te “Pavioni i Genocidit Komunist”).
Tek arrestimi dhe më pas dënimi i babait tuaj, a ka pasur ndikim debati që bëri ai me Enverin?
Patjetër, pasi nuk mund të arrestohej një deputet dhe një anëtar i kabinetit qeveritar të kryesuar nga Enver Hoxha pa aprovimin dhe miratimin e tij.
Sa vite burg bëri babai?
Babai bëri plot 15 vite e 7 muaj dhe u lirua në vitin 1962, kur sapo regjimi komunist i Enver Hoxhës ishte prishur me Bashkimin Sovjetik dhe Tirana zyrtare ishte në një gjendje depresioni politik, pasi nuk po dinte se nga të orientohej. Dhe në këtë situatë u bënë disa falje dhe u liruan shumë të burgosur politikë, ku një prej tyre ishte dhe babai ynë. Gjatë vuajtjes së dënimit, unë kam pasur rastin të isha për shumë vite në burg, në një kamp pune me babanë, Ramazanin, në fushën e aviacionit të Rinasit, e cila është ndërtuar pothuajse e gjitha me djersën, kontributin e gjakun e të burgosurve politikë. Por po kthehem edhe një herë te viti 1947 kur u dënua babai, pasi inati i Enver Hoxhës nuk mbaroi vetëm me arrestimin e Ramazanit. Ndërkohë që babai ishte arrestuar dhe ndodhej në hetuesi, na arrestuan edhe nënën tonë, Sabrijen, të cilën e mbajtën plot nëntë muaj në hetuesi duke e torturuar që të tregonte se ku e kishim floririn e familjes sonë. Pas nëntë muajsh tortura, nëna nuk rezistoi dot më dhe i tregoi vendin ku ishte fshehur floriri i familjes dhe pasi erdhën dhe na e morën, vetëm atëherë na e liruan nënën nga burgu. Desha të shtoj se kur arrestuan nënën, na kanë arrestuar edhe ne të gjithë fëmijët e tyre; katër motra dhe tre vëllezër (Vera, Nevrezi, Dhurata, Drita, Hyseni, Engjëlli, Ylli) dhe na kanë mbajtur për shumë kohë të izoluar në hetuesi dhe burg. Motra, Nevrezi ka bërë katër vite burg dhe Dhurata dy. Edhe ne vëllezërit e tjerë u dënuam më pas me burgime dhe internime dhe po t’i mbledhësh të gjitha, në total ne si familje kemi bërë plot 109 vite burg dhe internim.
Mbasi u lirua nga burgu, si vijoi jeta e babait tuaj, Ramazanit?
Babai u lirua në vitin 1962 pasi mbaroi 15 vite e 7 muaj burg dhe ndenji disa vjet te shtëpia që ishte si bodrum ku flinim ne. Vite më vonë, pasi isha arratisur nga Shqipëria unë dhe vëllai tjetër, Engjëlli, nënën, motrat e babain i hoqën nga Tirana dhe i internuan duke i çuar në fshatin Baldushk. Aty dhe vdiq babai në vitin 1982, pasi ishte i sëmurë nga vitet e gjata të burgut. Vdekja është vdekje dhe kur vjen nga Zoti nuk ke ç’i bën, por varrimi i babait tonë ka qenë një tjetër gjë mjaft tragjike dhe një moment tepër i dhimbshëm për këdo që mund ta dëgjojë, e jo më për familjen tonë. Pa e tepruar mund t’ju them se varrimi i tij ishte ndoshta edhe më i rëndë se vetë vdekja.
Në ç’kuptim…?!
Po kur vdiq babai aty në internim në fshatin Baldushk, në shtëpi ndodhej vetëm nëna, Sabrija dhe dy motrat, Nevrezi dhe Dhurata, pasi ne vëllezërit ishim të arratisur (unë me Engjëllin) dhe vëllai tjetër, Ylli, ishte në burg. Nëna ishte e sëmurë rëndë dhe nuk ishte në gjendje të lëvizte dot, ndërsa dy motrat e dobëta nga shëndeti nuk kishin fuqi që ta varrosnin babain. Pasi hapën një gropë, kërkuan se mos gjenin ndonjë dërrasë, por nuk kishin asgjë. Më pas me shumë mundime e kanë tërhequr babain zvarrë për këmbësh, derisa e kanë çuar tek gropa në cep të oborrit që do ishte dhe varri i tij.
A kërkuan ndihmë ato?
Siç më kanë treguar motrat vite më vonë, ato iu drejtuan për ndihmë një fshatari që po kalonte rastësisht aty pranë, pasi nuk bëhej fjalë që ato t’i shkonin ndokujt në shtëpi, qoftë edhe për ketë rast që po flasim, pasi nuk donin të dëmtonin njeri. Por dhe ai fshatari nuk erdhi, sepse ne ishim familje e deklasuar dhe ai në mos e ka ditur, e ka nënkuptuar, pasi nuk ishte normale që një të vdekur e përcillnin për në varr vetëm dy vajzat e tij dhe aq më pak në cep të oborrit të shtëpisë. Por duhet të kuptoni dhe të vëmë ngjarjen në kontekstin e kohës që ka ndodhur dhe kjo gjë asokohe si të thuash ishte e pranueshme për atë që i binte fatkeqësia. Regjimi komunist kishte detyruar që shqiptari-shqiptarin dhe vëllai-vëllain ta shihte me sy të keq. Po të kishe biografinë e keqe, njerëzit të largoheshin sikur të kishe murtajën. Kështu ka ndodhur dhe me familjen tonë.
Po kur vdiq nëna juaj?
Këtë desha t’ju them, se edhe kur vdiq nëna, Sabrija, me po të njëjtin ritual u varros. Dy motrat dhe mbesa e tërhoqën për këmbësh dhe e varrosën aty afër babait.
Po njerëzit tuaj të afërm nuk u lajmëruan as për vdekjen babait dhe as për vdekjen e nënës suaj?
Po, po u lajmëruan dhe lajmi shkoi edhe në Tiranë që ka vdekur, por nga fisi asnjë nuk shkoi ta varroste, me përjashtim të familjes së motrës, Verës. Pra, kishim mbetur vetëm. Ne si familje kishim arritur në atë pikë kritike, saqë ishim nën presion të vazhdueshëm të diktaturës së proletariatit, apo më saktë të Sigurimit të Shtetit që na ndiqte dhe na survejonte kudo. Por ka një ligj që studiohet në lëndën e Fizikës, që gjen zbatim edhe tek njerëzit. Që do të thotë ‘se kur diçka shtypet, ajo ka gjithmonë tendencë të ngrihet’. Kështu ka ndodhur edhe me një pjesë të atyre familjeve shqiptare që janë shtypur nga regjimi komunist, të cilët në një farë mënyre ose kanë reaguar në heshtje, ose kanë menduar dhe janë munduar që të largohen nga Shqipëria. Disa, ndonëse jo shumë, ia arritën të arratiseshin nga Shqipëria, e disa përfunduan prapë pas telave të burgut. Unë pata tendencën që të ngrihesha dhe pasi dola jashtë telave të burgut, më pas dola dhe jashtë atij burgu të madh pa tela që i thonin Shqipëri.

Para së të dalim tek arratisja juaj nga Shqipëria, kur dhe në ç’rrethana u burgosët ju dhe sa vite burg u dënuat?
Unë u burgosa në vitin 1957, pasi tentova të arratisesha nga Shqipëria. Dhe arsyeja e vetme e tentativës së 1957-ës kishte lidhje edhe me moshën time të re, e unë isha i urituri si të thuash, për të parë botë si i thonë fjalës. Në atë kohë kishte ndodhur Konferenca e Tiranës, e cila sikur e zbuti pak situatën politike të regjimit komunist në fuqi, pasi pati përplasje të çuditshme gjatë vitit 1956, flas për arenën ndërkombëtare, por që u reflektuan edhe në Shqipëri. Kjo i dha hov nga revolucioni hungarez, sepse ngjalli shpresa në Shqipëri për ndryshimin e sistemit në fuqi. Në këtë kontekst kohor dhe politik unë pata dëshirë të arratisem jashtë shtetit, por për fat të keq, ne u arrestuam në shtëpi. Ne, unë dhe disa shokë të tjerë që kishim bërë planet të kalonim kufirin dhe të dilnim në botën e lirë, ishim tradhtuar nga një person i grupit.
Më konkretisht, çfarë ndodhi me ju dhe grupin tuaj?
Si fillim, për kronologji desha të them se njëra nga motrat e mia, Vera, në 1956-ën kishte ikur në Jugosllavi, pasi u martua me një kosovar dhe kaloi kufirin, natyrisht pa leje. Desha të shtoj se kjo gjë ndodhi, pasi në atë kohë ndodhi një si përmirësim i marrëdhënieve mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit. Dhe largimi i motrës për në Jugosllavi më dha një si hov, që të provoja edhe unë fatin e saj. Ne, një grup shokësh me ideale dhe bindje antikomuniste, ku bëja pjesë dhe unë, formuam një grup të vogël që më pas filluam ta zmadhojmë. Në atë kohë unë punoja në Parkun Automobilistik të Kamionëve në Tiranë dhe isha njohur me disa shoferë që punonin në rrugën e Peshkopisë, ku ishte dhe kufiri. Në marrëveshje me ata, ne vendosëm që të iknim. Ata, pra disa prej shoferëve me të cilët kishim biseduar për këtë punë, për arsye të ndryshme, patën një mosbesim te një nga pjesëtarët e grupit tonë dhe vendosën që ta ndërpresin këtë aktivitet. Pra, na kthyen në pikën zero, duke mos marrë asgjë përsipër. Kështu ne u ndamë në dy grupe.
Si quheshin shokët që bënin pjesë në këto dy grupe?
Në grupin e parë ishte Sait Coku, Shefqet Pira dhe Halit Meta. Në grupin tjetër isha unë, vëllai im, Engjëlli dhe Xhemil Meço. Mua nuk më pritej, si djalë i ri që isha, doja me çdo kusht të kaloja sa më shpejt në botën e lirë. U njoha me një person nga Maqellara, (nuk po ua them emrin, pasi nuk dua të lëndoj njerëzit e familjes dhe të afërmit e tij) i cili më premtoi se do të më nxirrte jashtë shtetit, por në fakt ai raportoi në organet e Sigurimit të Shtetit. Një natë kur ne po përgatiteshim për të ikur, ka qenë data 27 korrik i 1957, neve, pra të gjithë shokët që përmenda më sipër, na arrestuan duke fjetur. Dhe pas kësaj, për 4 muaj unë kam ndenjur në hetuesi. Unë e dija se do të ishte e pamundur për mua që t’i rezistoja presionit të hetuesisë, kryesisht presionit fizik dhe kur po arrestohesha, i thashë vëllait të vogël, Yllit, “shiko, do të shkosh të lajmërosh Shefqetin e Saitin, që mua më kapën”. Ai e kuptoi se për çfarë po flisja.
Dhe ç’ndodhi me ta?
Mbas një jave ata bënë tentativë për t’u arratisur, por u diktuan dhe u përplasën me forcat kufitare. Në përpjekjet në kufi, Halit Meta nuk ishte me grupin. Forcat kufitare në bashkëpunim me fshatarësinë kooperativiste të brezit kufitar, në atë kohë i rrethuan këta të dy dhe Seiti qëlloi me armë dhe plagosi një oficer rrugor, si dhe kryetarin e kooperativës. Ndërsa Shefqetin e vranë në kufi pa dalë në Jugosllavi.
Sa u dënuat për atë tentativë arratisjeje?
Gjykimi im u bë me një gjyq ushtarak me dyer të hapura, i cili për kohën ishte më tepër propagandistik, për të mbjellë terror edhe frikë, se ja, ne i kemi kapur e do t’i dënojmë, sepse personeli i Parkut të Autobusëve e Kamionëve ishte jashtëzakonisht i madh dhe donin të frikësonin të tjerët. Punonjësit e këtij parku ishin të ftuar të gjithë të merrnin pjesë në ketë gjyq që drejtohej nga kryetari i gjykatës, Bilbil Klosi. Si rezultat, Seitin e dënuan me pushkatim, Halitin me 20 vite burg, Xhemil Meçe me 12 vite burg, mua 15 vite burg, ndërsa vëllait tim, Engjëllit, i dhanë 5 vite burg. Mbas kësaj, Seit Cokut, Kuvendi Popullor ia fali jetën meqë kishte një vëlla dëshmor dhe kishte qenë partizan edhe vetë.
Sa vitet burg vuajtët ju personalisht?
Unë, me kalimin e kohës e kreva dënimin e fitova edhe me amnisti. Pata fituar ulje dënimi nga tri amnisti që beri qeveria komuniste e Tiranës në atë kohë. Kishim edhe një stimul ne të burgosurit që punonim në kampe pune. Aty fitova me punë dy vjet ulje dënimi. Unë mezi prisja të dilja përsëri nga burgu, se doja liri, e kisha ndarë mendjen, do të arratisesha nga Shqipëria, në rastin më të parë që të më jepej. Unë dola nga burgu në gusht të vitit 1964. U lirova nga burgu i Vlorës, nga Soda Kaustike, ku ne të burgosurit kemi ndërtuar një fabrikë. Pas daljes nga burgu, unë fillova të punoj saldator, zanat që e kisha mësuar në burg. Ministri i Brendshëm i asaj kohe ishte ankuar në Byronë Politike për çështjen e të burgosurve, duke i thënë: “Ne i futëm të burgosurit në burg, por ne u kemi dhenë literaturë atyre, ata përgatiten me gjuhë të huaja atje, përgatiten e bëhen punëtorë të zotë, bëhen hekur-kthyes, hidraulikë, elektricistë e dalin prapë një fuqi më e fuqishme akoma”. Kjo si të thuash ishte një kërcënim, ne duhet të zhdukeshim komplet, të asimiloheshim si klasë.
Në çfarë objektesh punuat si saldator?
Unë punova në ndërmarrjen e ndërtimit “21 Dhjetori” si saldator në montime. Kemi montuar ashensorë në Pallatin e Kulturës në Tiranë, shkallët, grilat, ajrimin, sistemin e ajrit të kondicionuar etj. Po si i themi ne shqiptarët, më mirë të të dalë syri sesa nami, se mua më doli nami si saldator i mirë. Kjo më dha një avantazh të madh e të çuditshëm. Unë isha zhvilluar jo pak nga burgu, sepse kisha studiuar gjatë asaj periudhe. U përqendrova kryesisht në gjuhën franceze e angleze. Në të njëjtën kohë unë shkruaja poezi e prozë, të cilat kur dola nga burgu i dogja të gjitha, sepse nuk doja të bëja burg për së dyti e të akuzohesha për agjitacion e propagandë. Këto ishin gjëra kaq paranojake për sistemin në atë kohë, sa shumë pak e kuptonin se ai shtet shqiptar i asaj kohe mbështetej në paranoja e terror për të mbajtur pushtetin. Ai shtet nuk kishte asgjë njerëzore. Por të dalim te puna ime e mëtejshme. Pasi ika nga “21 Dhjetori” me vendim të Komitetit të Partisë së Tiranës, mua më caktuan në Ndërmarrjen e Ujësjellësit të Tiranës.
Si ishte e mundur që një ish-i burgosur politik të lejohej të punonte në ujësjellësa, kur dihej se ato konsideroheshin objekte të rëndësisë së veçantë dhe ruheshin shumë që të mos i hidhte helm armiku? Të paktën kështu thuhej në atë kohë…
Po, është më se e vërtetë ajo që thoni ju, por në atë kohë pak vetë e dinin se unë kisha qenë një i burgosur politik, ndërsa nami më kishte dalë dhe të gjithë thoshin se “saldator më të mirë se ky nuk ka”. Kjo më dha mua avantazh që të bëhem i njohur jo vetëm në Tiranë, por edhe nëpër ndërmarrje të tjera. Duke kaluar vitet, më dërguan të punoj në hidrocentralin e Vermoshit, për të salduar tubacionet e atij objekti, gjë e cila në një farë mënyre ishte e çuditshme, pasi nuk mund të dërgohej një i burgosur politik të punonte në një hidrocentral aq të rëndësishëm. Edhe drejtori im, që kisha në ujësjellës, Foto Lula, edhe pse ishte mik i imi, nuk e dinte se kisha qenë i burgosur. Ai kujtonte se kisha qenë në punë si shofer dhe isha burgosur me që kisha bërë aksident Dhe këto gjëra unë i kisha nxjerrë vetë për t’u kamufluar. Ishte një gjë e çuditshme, sepse unë isha në zonën e kufirit dhe mund të ikja në çdo sekondë, por nuk e bëra dhe nuk e çova kurrë në mend atë gjë, sepse e kisha shumë mik drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë Komunale, Pavllo Azduriani. Dhe po të isha arratisur unë, i pari që do mbante përgjegjësi dhe më e pakta do të shkarkohej nga funksioni i drejtorit, ishte ai. Meqë isha kaq i njohur, bëra hidrocentrale në Dukagjin e Theth, pastaj erdha më poshtë në Shënepremte, andej nga katundet e Elbasanit. Me pak fjalë bëra pothuaj të gjitha montimet dhe saldimet e pajisjeve të 7 hidrocentraleve nëpër zona malore të Shqipërisë. Si përfundim bëra edhe një tjetër që është shumë madhështore, kemi bërë ujësjellësin e Përmetit.
Përmendët ish-drejtorin e Ujësjellësit, Pavllo Azduriani, që e kishit mik dhe ju mbante në punë, po të tjerë njerëz me funksione të larta a ju kanë ndihmuar në ato vite?
Patjetër, ka pasur shumë dhe shumica e tyre ishin edhe komunistë, apo nga familje të tilla, por mjaft të ndershëm ama. Ndër ta do kujtoj një emër, inxhinier Vardar Starova, një njeri i jashtëzakonshëm, me zëmër të madhe, intelektual që zotëronte disa gjuhë të huaja, të cilit i detyrohem sa të jem gjallë, pasi më ka dhënë një ndihmë pa të cilën jeta ime do të kishte marrë drejtim tjetër, duke shkuar keq e më keq. Një tjetër person që më ka ndihmuar shumë në atë kohë ka qenë edhe Nehat Grazhdani, shefi i Zyrës Teknike të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, të cilit padyshim që i detyrohem shumë, pasi nuk ishte dhe fort e lehtë në atë kohë që një kuadër të ndihmonte një njeri si unë, që kisha qenë në burg politik.
Të kthehemi te puna juaj nëpër objekte dhe vepra industriale dhe është i njohur ky fakt, se të burgosurit politikë kanë marrë pjesë dhe kanë ndërtuar veprat më të mëdha të Shqipërisë nga jugu në veri?
Nuk mund të thuash tamam kështu, sepse vërtet të burgosurit politikë kanë dhënë një kontribut të madh me punë fizike, ndërsa anët e tjera të ndërtimeve janë bërë nga inxhinierë shqiptarë ose të huaj me diploma. Por nuk them se s’ka pasur përjashtime, pasi ka pasur të burgosur politikë në kampe dhe burgje, të cilët kanë bërë punë nga ana profesionale, të cilat nuk i bënin dot punëtorët apo specialistët që ishin të lirë. Nuk dua ta hiperbolizoj këtë që them, por është fakt i njohur. Ne, për fat të keq, them për pjesën më të madhe të brezit tim, nuk kemi pasur as shkolla e as diploma. Përfitimi ynë ishte ajo çfarë mësuam në burg, se burgu u bë shkolla jonë, për t’i rezistuar akoma më shumë regjimit dhe shtypjes që bënte ai ndaj shtresës sonë.
Por ndërsa u rregulluat mirë me punë, ju përsëri vendosët që të arratiseshit nga Shqipëria?
Siç ju thashë pak më lart, ideja për t’u arratisur ishte një ide që kishte bërë vend në ndërgjegjen e në koshiencën time prej kohësh. Unë do e kryeja atë, sepse humba disa vjet të rinisë time në burg e më vinte keq që ta humbisja pjesën tjetër të jetës duke punuar në saldim. Unë nuk kisha për t’u bërë profesor, por sidoqoftë nuk doja të punoja për të tjerët. E shikoja se unë kisha kapacitet për ta realizuar atë ëndërr, pra për të qenë i lirë. Por kush e rëndoi më shumë këtë situatë? Vetëm kërcënimi nga shteti. Pavarësisht se ishte si ëndërr, vendimi erdhi spontan. Unë fola vetëm me nipin, Gerin, djalin e motrës e i thashë “unë nuk dua të jetoj më në Shqipëri”. Kjo gjë përkoi edhe me një rast që u ndanë shtëpitë me punë vullnetare dhe mua nuk më dhanë kurrë. Atëherë unë i tregova nënës dhe i thashë “unë do të iki”. Nëna ka vuajtur shumë, pasi ne kemi qenë gjithë jetën në burg, se siç iu thashë pak më lart, babai ka bërë 15 vite e 7 muaj burg, vëllai i vogël, Ylli bëri 28 vjet dhe unë kam bërë 7 vjet, vëllai i dytë, Engjëlli ka bërë 5 vite burg. E gjithë familja ime ka qenë në burgje dhe internim e po t’i mbledhësh këto vite burgu e vuajtjeje, bëhet një shumë prej 109 vjet humbje lirie. Edhe nëna vetë vuajti 9 muaj burg. E torturuan dhe ia morën të gjithë florinjtë e na lanë neve pa lekë fare, se ne me ato jetonim, se ishim fëmijë të vegjël. Ne thyenim floririn që të ushqeheshim, por edhe atë e humbëm. Ne u rritëm jo të egër, por më shumë sesa të varfër, s’kishim asgjë. Kur them asgjë, veç katër muret e bodrumit ku na përplasën. Madje, nuk kishim as orë për t’u orientuar me kohën. Lidhur me punën e orës, po ju tregoj me dy fjalë një gjë që them se flet shumë. Ka qenë një karrocë që ne i thonim ‘karroca e Dumit’, i cili kalonte mëngjes për mëngjes për të shkuar tek treni. Bëhet fjalë pas daljes së babait nga burgu, aty nga viti 1964. Sapo e dëgjonte babai trokun e kalit të Dumit, na thoshte: “Dumi kaloi me karrocë, shkoni për punë se vajti ora”. Qëlloi një ditë që Dumi u sëmur dhe nuk doli me karrocë në punë dhe ne mbetëm pa u zgjuar dhe nuk vajtëm dot në punë se nuk e kapnim orarin. Pra, ishim të kushtëzuar në një farë mënyrë nga karroca e Dumit dhe po të mos dilte ai në punë, edhe ne mbeteshim.
(vijon nesër)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: