TIRANË

Vasilika Hysi deputetja e PS-së e sheh problemin me zgjedhjet në Shqipëri tek njerëzit dhe jo sistemi.

Duke komentuar nisjen e punës së komisionit të reformës zgjedhore, Hysi tha në “Opinion” në News24 se për çfarë është diskutuar dhe dakordësuar.

Sipas saj, nuk ka një rekomandim nga OSBE-ODIHR për të ndryshuar sistemin por se është kërkuar ekspertizë për ndryshimet.

“Një pikë e diskutimit në këtë mbledhje ishin dhe modalitetet si do të punohet për të shkuar në një propozim për ndryshimin e kodit zgjedhor. Ne si forcë politike kemi kërkuar votën e emigrantëve shqiptarë dhe kjo ishte një çëshje tjetër e kalendarit.
Opozita ka kërkuar votimin elektronik dhe të gjitha këto çështje ishin në rendin e punës së këtij komisioni.
Ky komision nuk mund të punojë i vetëm. Edhe komisioni i mëparshëm ka ndjekur një procedurë të konsultimit. U miratua dhe grupi i ekspertëve që do asistojë komisionin e reformës zgjedhore. Dy bashkëkryetarët propozuan emrat, ne i miratuam.
Ne sistemin zgjedhor e kemi ndryshuar në 2008. Nuk ka një rekomandim nga OSBE-ODIHR për të ndryshuar sistemin. Në këtë mbledhje të parë ky diskutimi u fokusua tek sistemi, u dakordësua të ketë ekspertizë edhe nga OSBE-ODIHR.
Jam zgjedhur deputete me sistemin që është në fuqi, që ka listat e mbyllura.
Mendoj se çdo sistem ka përparësitë dhe të metat e veta. Ndaj mendimin se nuk janë sistemet shkaktaret e problematikave që mund të kenë zgjedhjet në Shqipëri. Jemi ne njerëzit. Doja të sillja në vëmendje zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, shumë shpejt u dha dhe rezultati, marrim Greqinë apo vende të tjera, ku palët asnjëherë nuk kanë akuzuar sistemin”, u shpreh Hysi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb