TIRANË

Prokuroria e Tiranës kërkon pushimin e çështjes për biznesmenin Kastriot Ismailajn, i akuzuar për falsifikim të dokumenteve.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se kërkesa për pushimin e çështjes është dorëzuar në gjykatë nga Prokurori Saimir Hysi. Kastriot Ismailaj është dënuar më herët për aferën CEZ-DIA.

DOSJA
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë më 27 mars 2014 ka regjistruar procedimin penal nr.6381, në ngarkim të shtetasit Kastriot Ismailaj, Josef Hejsek dhe Jan Ivan, të akuzuar për veprat penale ‘pastrim i produkteve të veprës penale’ dhe ‘mashtrimi me pasoja të rënda’.

Këtij procedimi në vitin 2015 i është bashkuar procedimi penal nr.978 i viti 2008 si dhe procedimi nr. 963 të vitit 2012, të regjistruar për veprën penale të ‘pastrimi i produkteve të veprës penale’.

Këto procedime janë regjistruar në bazë të informacioneve të ardhura nga shërbimet e policisë gjyqësore, DPPP Tiranë sipas të cilëve shoqëritë tregtare të krijuara nga ana e të pandehurit Kastriot Ismailaj kanë kryer veprime financiare dhe transaksione pa logjikë ekonomike dhe të financuara nga burime të dyshimta që mund të jenë produkt i veprimtarisë kriminale.

I pandehuri Kastriot Ismailaj është akuzuar edhe për veprën penale të ‘pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’.

Në përfundim të hetimeve të kryera me vendimin e datës 15.12.2015, është vendosur dërgimi i çështjes për gjykim për të pandehurin Kastriot Ismailaj. Nisur nga fakti se nuk është bërë e mundur t’u njoftohet akuza të pandehurve Josef Hejsek dhe Jan Ivan, shtetas çek, është vendosur ndarja e çështjes penale në ngarkim të tyre dhe pasi janë kryer njoftimet e nevojshme çështja penale dhe në ngarkim të këtyre të pandehurve është dërguar për gjykim. Nga hetimet e kryera në këtë çështje penale ka rezultuar e provuar se:

I pandehuri Kastriot Ismailaj në bashkëpunim me të pandehurit Josef Hejsek (me detyrë Kryetar i Bordit të Drejtorëve) dhe Jan Ivan (me detyrë anëtar i Bordit të Drejtorëve, Divizioni i financës) duke përdorur të dhëna të pavërteta dhe dokumente fiktive, kanë mundur të vjedhin nga shoqëria “CEZ Shpërndarje” shumën 649,803,520 lekë. Kjo vlerë i është paguar shoqërisë “Debd Internacional Advisory” (DIA) LTD dega Shqipëri, për punë apo shërbime, të cilat nuk rezultojnë të jenë kryer. Nga hetimi ka rezultuar se të pandehurit josef Hejsek dhe Jan Ivan kanë qenë në dijeni të falsitetit të dokumentacionit të paraqitur nga i pandehuri Kastriot Ismailaj dhe me dashje kanë prodhuar së bashku me këtë të fundit dokumente fiktive për të justifikuar pagesën e faturave të lëshuara nga shoqëria “DIA”, për punë dhe shërbime të cilat realisht nuk janë kryer. Fakte më të detajuara në lidhje me rezultatin e hetimit gjenden në kërkesat për gjykim.

Në kuadër të hetimeve paraprakë të këtij procedimi është bërë dhe ndarja e çështjes penale 6381/2 për veprën penale të “Falsifikimi i dokumenteve” e parashikuar nga neni 186/3 të Kodit Penal.

Objekt i hetimit të kësaj çështjeje penale të ndarë ka të bëjë me shkaqet e lëshimit të disa faturave të dyshuara si fiktive në bazë të së cilave janë transferuar paratë nga shoqëria “DIA” dhe më konkretisht për shoqërinë “AIC” sh.p.k, “NEREIDA” sh.p.k, “BTT” Sh.p.k dhe “ESF” sh.p.k etj.

Rezulton se në datën 21.10.2010 shoqëria “DIA” sh.p.k ka lidhur një kontratë me shoqërinë “ESF Tirana” sh.p.k, me administrator shtetasin Hasan Meta për të kryer disa punime ndërtimi tek zyrat e “DIA” sh.p.k, me vlerë të përgjithshme prej 4/545.000 lekë. Gjatë hetimeve të kryera nuk është bërë e mundur të gjendet kontrata mes këtyre shoqërive por ajo pohohet nga të dy drejtuesit e shoqërive dhe fatura tatimore lidhur me pagesën i referohet kësaj kontrate.

Lidhur me këtë fakt është pyetur drejtuesi i shoqërisë “ESF Tirana” sh.p.k, shtetasi Hasan Meta, i cili ka deklaruar se në atë kohë ka parë tek ish-zyrat e elektrikut” një shpallje për të marrë pjesë në një tender për disa punime që duheshin kryer për riparimin e zyrave të shoqërisë “DIA”. Po atë ditë ai ka dorëzuar dokumentet për të marrë pjesë në garë dhe pas një jave është njoftuar se është shpallur fitues i garës.

Ai ka lidhur një kontratë me DIA por nuk e disponon një kopje të saj dhe ka kryer për llogari të saj tek godina trekatëshe e “ish-elektrikut” pranë ish-stacionit të trenit. Në momentin që ai ka kryer punime godina ishte bosh pasi shërbimet që kishin qenë në të ishin transferuar tek “C***” etj. Sipas kontratës vlera e këtyre punimeve ishte parashikuar në shumën 5.000.000, po ai ka përfituar vetëm shumën prej 4.545.000 lekë pasi pjesa tjetër iu mbajt si garanci dhe ai nuk e mori më këtë shumë.

Rezulton se “DIA” sh.p.l në datën 21.09.2010 ka lidhur një kontratë sipërmarrje me shoqërinë “AIG” sh.p.k të përfaqësuar nga shtetasi Vilson Ahmeti, për të kryer punime për riparimin e zyrave të shoqërisë “DIA” sh.p.k, ku vlera totale e kontratës ishte 12.900.000 lekë. Nga kjo vlerë “DIA” ka derdhur në favor të “AIG” sh.p.k. një shumë prej 6.500.000 lekë në datën 21.10.2010 dhe pas derdhjes së kësaj shume kontrata mes këtyre shoqërive nuk është zbatuar pasi shoqëria sipërmarrëse nuk ka kryer punimet e porositura dhe as ka kthyer mbrapsh shumën e dhënë për këtë kontratë.

Shtetasi Vilson Ahmeti, përfaqësues i shoqërisë “AIG” sh.p.k ka deklaruar se ka lëshuar fatura për shoqërinë “DIA” sh.p.k, të cilat janë paradhënie por nuk ka kryer punime realisht për shkak se sipas marrëveshjes së lidhur me shtetasin Kastriot Ismailaj puna do të fillonte të kryhej pas pagesës së plotë të shërbimit të kërkuar.

Kastriot Ismailaj nuk ka kryer pagesën e plotë të shërbimit sipas kontratës (riparime zyre), e cila ishte në vlerën 12.000.000 lekë të reja dhe për këtë arsye punimet sipas tij nuk janë kryer. Në fakt deklarimet e këtij shtetasi nuk përputhen me dokumentacion tatimor të administruar. Faturat nuk janë paradhënie, por fatura të rregullta bashkëlidhur situacionet përkatëse dhe ato janë regjistruar si të ardhura për shoqërinë dhe jo si parapagime të kryera nga të tretët.

Në datën 21.09.2010 “DIA” sh.p.k, përfaqësuar nga Elvis Mataj, ka lidhur një kontratë shitblerje me shoqërinë “BTT” sh.p.k, përfaqësuar nga shtetasi Shpëtim Shehu për blerjen e disa mjeteve motorike nga “DIA” sh.p.k në vlerën 240.000 euro. Ditën e lidhjes të kontratës nga ana e “DIA” sh.p.k është bërë një pagesë në favor të “BTT” sh.p.l në shumën 16.800.000 lekë, shumë që është derdhur në llogarinë e kësaj shoqërie pranë “V*** Bank” sh.p.k. Po atë ditë kjo shumë është këmbyer në ‘euro’ dhe i është kaluar shoqërisë “Xhenis” sh.p.k me përshkrimin “kthim borxhi”. Edhe pse mes këtyre shoqërive ka pasur një kontratë ajo nuk është realizuar pasi nuk është kryer blerja e mjeteve motorike nga ana e “DIA” sh.p.k.

I pyetur lidhur me këtë fakt shtetasi Shpëtim Shehu përfaqësues i shoqërisë “BTT” sh.p.k, ka deklaruar se ka lidhur një kontratë me shtetasin Kastriot Ismailaj për blerjen e disa motorëve në vlerën 240.000 euro dhe për këtë arsye është kryer pagesa në shumë 16.800.000 lekë (gjysma e vlerës së kontratës). Meqenëse sipas tij furnitori rriti çmimin e këtyre sendeve ai i kërkoi shtetasit Kastriot Ismailaj që të negocionte çmimin e kontratës. Meqenëse ky çmim nuk u negociua, kontrata u prish dhe vlera 16.800.000 lekë ngeli pa u kthyer, si borxh midis këtyre shoqërive.

Në datën 02.09.2010 shoqëria “DIA” sh.p.k. ka lidhur një kontratë shërbimi me shoqërinë “Nereida” sh.p.k, me administrator shtetasin Nikolla Laçi, me objekt kryerjen e disa shërbimeve nga “Nereida” sh.p.k. për “DIA”, sh.p.k lidhur me identifikimin e abonentëve deboitore të “CEZ” sh.a. Për këtë kontratë është kryer nga “DIA” sh.p.k në favor të “Nereida” sh.p.k. një pagesë në shumën 31.900.000 lekë, pagesë që është kryer përmes disa faturave tatimore të nënshkruar për llogari të “DIA” sh.p.k nga ana e Elvis Matës.

Gjatë hetimeve të kryera lidhur me aktivitetin e shoqërisë “DIA” sh.p.k megjithëse kontrata konsiderohet si e plotësuar nuk është gjetur asnjë dokumentacion lidhur me punën e kryer nga “Nereida” sh.p.k në drejtim të identifikimit të abonentëve debitorë të “CEZ” sh.a.

Shtetasi Nikolla Laçi, përfaqësues i shoqërisë “Nereida” sh.p.k ka deklaruar së kryer disa verifikime për gjetjen e adresave të disa debitorëve të shoqërisë “CEZ Shpërndarja” sh.a dhe për këtë arsye janë kryer disa pagesa. Ai ka deklaruar se nuk ka dokumentacion për punën e kryer pasi nuk i kanë ruajtur nisur nga fakti se kontrata ishte e mbyllur.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb