Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në vijim të hetimeve të procedimit penal Nr. 51 të vitit 2024, në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ekzekutoi masën e sigurimit “Arrest në burg” në ngarkim të shtetasit J.N, si person i dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e arrestuar më parë F.T dhe A.M. përpilonte plane rilevimi dhe raporte vlerësimi pronash duke përdorur në dhjetëra raste licencat e falsifikuara me emrat A. T., D. H. dhe studio “Geo-Spital”. Licenca që rezultojnë të jenë përdorur jo vetëm pranë ASHK-Gjirokastër, por edhe në Drejtoritë e ASHK-së në Tiranë.

Në kuadër të këtij procedimi, gjithashtu, u ekzekutua vendimi i gjykatës për vendosjen nën sekuestro preventive të një sipërfaqeje 122 (njëqind e njëzet e dy) hektar kullotë, me vendndodhje në vendin e quajtur “Stojan”, Bashkia Libohovë, e regjistruar në shkelje të ligjit nga shtetasi F.T, ish-drejtues i ASHK Gjirokastër, me qëllim favorizimin e subjektit “F”, për marrjen me qira të kësaj sipërfaqeje për 98 vjet për ndërtimin e një parku fotovoltaik, duke cenuar të drejtat e pronësisë së disa shtetasve. Për këtë qëllim u ushtrua kontroll në zyrat e subjektit “F” në qytetin e Tiranës, ku u bë e mundur sekuestrimi i dokumenteve që kanë të bëjnë me pajisjen me licensë për ndërtim parku fotovoltaik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb