GJKKO ka lënë në burg kreun e Prokurorisë Vlorë, Aurel Zarka. Aurel Zarka është arrestuar ndërsa tre personat për të cilët është lëshuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ish-oficerja e policisë gjyqësore Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi (kushëri i Elvis Vladit i dënuar për 3.4 mln euro të gjetura në makinën Toyota Yaris) janë shpallur në kërkim.
Sipas SPAK, nga hetimet paraprake të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim Aurel Zarka, Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë.
Gjithashtu kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 30.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve e nevojave të sigurimit, në respektim të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Auren Zarka dhe vazhdimin e masës së
sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, si i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi (2) dhe 25, 319 dhe
25 dhe 319/ç të Kodit Penal.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 92, datë 03.07.2024 vendosi:
1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale caktuar ndaj personit nën hetim Aurel Zarka me vendimin Nr. 87 Akti, datë 28.07.2024 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (2) dhe 25 të Kodit Penal (para ndryshime me ligjin nr.43/2021), “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
3. Bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i pjesës përshkruese dhe arsyetuese i këtij vendimi, kërkesës së Prokurorisë së Posaҫme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për caktimin e masave të sigurimit personal, si dhe i akteve që lidhen me këtë ҫështje nëpërmjet shtypit ose informacionit masiv deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, përbën vepër penale sipas nenit 295/a paragrafi 3 i Kodit Penal nën titullin “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi. Tiranë, më datë 31.07.2024