Historia e një të riu 28-vjeçar nga Lezha ka ardhur sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24. Klaudjan Sinani jetonte prej disa vitesh në Francë dhe bashkëjetonte atje me një grua 50-vjeçare, me të cilën kohët e fundit kishte pasur disa konflikte.

Pas një denoncimi që ajo i pati bërë ai përfundoi në burg. Familja e tij nuk dinte asgjë dhe i vetmi informacion iu është dhënë nga bashkëjetuesja e të birit. Pak kohë më pas në 18 maj 2017 një shqiptar tjetër nga Burreli ka shkruar në “Facebookun” e vëllait të Klaudjanit dhe e ka njoftuar atë se 28-vjeçari kishte ndërruar jetë në burg.

Të tronditur të gjitha familjarët janë interesuar përmes njerëzve të tjerë derisa janë bindur se lajmi shokues ishte i vërtetë. Nga maji i vitit 2017 e deri më tani pavarësisht se janë interesuar, kanë qenë disa herë në Francë i ati i Klaudjanit dhe familjarë të tjerë, ende nuk dinë të vërtetën e vdekjes. Disa versione iu kanë ardhur nga avokatja, kjo e ka bërë akoma më të mistershme gjithë historinë. Por si ndërroi jetë Klaudjani 28-vjeçar?

Babai i tij Man Sinani ka kërkuar të vërtetën duke rrëfyer historinë e të birit. “Në janar të 2017 djali ka ardhur në Shqipëri. Katër muaj para se të ndodhte vdekja. Ishim kundër të lidhjes së tij me gruan për shkak të moshës por ajo dhe pinte, e nxirrte nga shtëpia. Më datë 7 maj e morëm vesh që është arrestuar djali. Ai nuk e ka dhunuar asnjëherë zonjën. Denoncimi erdhi për shkak se ajo nuk e donte djalin dhe ka pasur urdhër mbrojtjeje që djali t’i qëndronte 10 metra larg.
Kur mora vesh vdekjen e djalit, zonja ka komunikuar me gruan dhe ka thënë që djalin e keni në burg. Ajo ka qenë e martuar me një francez për dokumente dhe është divorcuar. Ne nuk e dinim se si ishte ndaluar djali. Në orën 11 të darkës i ka ardhur djalit një sms në facebook, ‘Klaudjani ka ndërruar jetë’. Institucionet nuk na lajmëruan. Mora në telefon bashkëjetuesen dhe ma mohon lajmim për vdekjen e djalit. Bashkëjetuesja nuk ka shkuar mirë me djalin. Unë shkova në Francë dhe në burgun ku më thanë se kishte qenë djali.
Kam kërkuar që të takohem me drejtorin e burgut të madh. Pas 15 minutash më vjen mesazhi nga drejtoria e burgut se djali ka vdekur. Mesazhi nga drejtoria e burgut më njofton 3 ditë pas vdekjes. Shkaku i vdekjes në fillim ka ardhur si atak kardiak. Ekspertiza sipas dokumenteve thuhet se vdekja ka ardhur për shkak të ilaçeve. Më vonë na ka ardhur një dokument ku thuhet, se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Unë kam ngritur padi për vdekjen e djalit, por çështja nuk ka shkuar në gjykatë”, deklaroi babai.

Ai tha se nuk e akuzon dot zonjën me të cilën bashkëjetonte i biri sepse nuk di të vërtetën. Ndërkohë ai ngre dyshime se Klaudjani mund të ketë pasur një fëmijë me 50-vjeçaren pas një deklarate pak ditë më parë nga një titullare e burgut ku vdiq i biri. Duke kërkuar të vërtetën i ati i Klaudjanit ka shkuar sërish në Francë dhe është kthyer vetëm pak ditë më parë. Atje një prej zyrtareve të burgut ka folur për një fëmijë por për shkak të gjuhës ai nuk ka mundur të kuptojë shumë, por ka parë reagimin e acaruar të bashkëjetueses së djalit të tij.

“Unë nuk e akuzoj dot zonjën, sepse nuk e di të vërtetën. Unë nuk e di shkakun e vdekjes. Në të dy dokumentacione ka versione të ndryshme të ekspertizës. Por nga mesazh që më ka ardhur pak muaj më parë unë mora vesh se djali im ka një fëmijë me zonjën”, tha Man Sinani.

Ndërkohë një tjetër pistë që po heton është dhe versioni që i kanë thënë se i biri ka konsumuar metadon por ai thotë se nuk ka pasur probleme me drogën.

Avokati Ndue Pjetra tha se shkaqet nuk mund të jenë natyrale, duke ngritur dyshime. “Vetëm shkaku që nuk është natyral. Gjithçka është te zonja në bashkëpunim me personat e tjerë. Faji më i madh është i konsullatës shqiptare. Mund të ketë dhe pak racizëm në atë mes”, tha Avokati Pjetra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: