Nga Iris Rezhda
KORÇE- Pas vendimit të Gjykatës së Shkallës se Parë dhe asaj të Apelit në Korçë, që dënuan me 6 vite burg 36-vjeçarin Edison Shuli për abuzim me vajzën e tij, kanë reaguar familjarët. Jani Shuli, i ati i 36-vjeçarit shumë i indinjuar me vendimin ka deklaruar se do të hakmerret ndaj prokurorëve, duke akuzuar ish-nusen e djalit për inskenim.

“Vendimi i gjykatësi është i padrejtë. Prokuroria nuk ka prova që e mitura është ngacmuar seksualisht nga Edison Shuli. Vajza është ngacmuar nga vetë e ëma, për të gjetur arsye që të ndahej nga bashkëshorti”, deklaroi babai i 36-vjeçarit.

Jani Shuli ka paralajmëruar se do bëjë vetëgjyqësi. “Nuk më ka mbetur asgjë. Gjithçka kisha ishte morali, por edhe ketë ma mori gjykata dhe prokuroria e Korçës, duke ma dënuar djalin padrejtësisht. Do bëj vetëgjyqësi. Dua drejtësi. Prokuroria është e korruptuar. Do hakmerrem ndaj prokurorëve, nëse nuk vihet në vend drejtësia”, tha babai i Edison Shulit.

Ai kërkoi që Prokuroria të hetojë për të zbuluar se ka qenë e ëma e vajzës, pra ish-nusja e djalit ajo që ka abuzuar me të miturën.

“Prokuroria të provojë që 5-vjeçarja është abuzuar nga e ëma dhe familja e saj. Jam i bindur në pafajësinë e tim biri”, tha Jani Shuli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb