I ati i 14-vjeçarit të plagosur ditën e sotme gjatë sherrit që ndodhi pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet ka folur për mikrofonin e News24 duke treguar përjetimin e të birit dhe atë që është zbuluar deri tani nga ai.
Ai tregoi se djali i tij është tashmë në gjendje shumë të mirë dhe ka kaluar momentin e vështirë pas plagëve të marra. Sipas tij 14-vjeçari është goditur 4 herë me thikë në trup, në pjesën e parakrahut, në shpatull dhe në ije.
Po ashtu ai ka patur hemorragji të brendshme, por gjendja tashmë është e stabilizuar.
“Për momentin djali është në gjendje shume të mirë, e ka kaluar pjesën e shokut dhe mori ndihmën e parë nga spitali. Tani doli edhe nga salla dhe është mirë. Ka kryer një ndërhyrje, i kanë vënë një tub që të nxjerrë gjakun nga mushkëria sepse kishte hemorragji të brendshme. Djali ka 4 goditje, një në parakrah, një në shpatull dhe dy në ije. Mjekët thanë se nuk është në rrezik për jetën”, u shpreh ai.