MAT – Prokuroria e Matit ka nisur hetimet ndaj një efektivi të komisariatit të policisë së këtij rrethi, pasi dyshohet se ka dërguar një sërë mesazhesh telefonike me përmbajtje të pamoralshme për eprorët dhe kolegët e tij. Bëhet fjalë për 55-vjeçarin Xh.B., i cili akuzohet për veprën penale “Përdorim me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Vetëm pas një viti hetimesh u bë i mundur zbulimi i policit që “terrorizonte” gjithë komisariatin. B. është pezulluar nga detyra. Mësohet se në të shumtën e rasteve, në mesazhe shkruhej se “X” zyrtar apo punonjës policie ka lidhje intime me “Y” punonjëse të këtij institucioni. Burime të besueshme për “GSH” dje deklaruan se mesazhe të tilla (vinin nga një numër i paregjistruar) i janë dërguar shefit të komisariatit të Matit, prokurorit të këtij rrethi, drejtorit të Policisë së Dibrës dhe vartësve të tyre. Autori i këtyre mesazheve nuk ka “harruar” as ministrin e Brendshëm, Samir Tahiri. “Shefi L.A. flirton me punonjësen…” ishte njëri nga SMS-të që i ka shkuar Tahirit. Këto SMS u shkonin në të njëjtën kohë edhe familjarëve të personave, duke aluduar për lloj-lloj lidhjesh.

Numri i celularit xxxxx089 ishte kthyer në makth për drejtuesit e Policisë së Qarkut të Dibrës dhe të gjithë punonjësit e Komisariatit të Matit. Kjo për faktin se, përveç akuzave për lidhje intime mes punonjësve, janë dërguar mesazhe për lidhjet e oficerëve dhe punonjësve të Policisë me kontingjentë të krimit. “Filani ka lidhje me elementë kriminalë”, është një model tjetër SMS-je që ka mundësuar largimin ose transferimin e disa punonjësve të policisë lokale. Pas këtyre mesazheve, disa oficerë dhe oficere janë transferuar në Kukës, Tropojë e rrethe të largëta. Ndërkaq, prokuroria e Matit ka sqaruar me detaje se si u zbulua autori i mesazheve.

DOSJA PER ISH-POLICIN
Prokuroria e Matit bëri me dije se më datë 22.01.2015 ka regjistruar procedimin penal që bën fjalë për veprën penale të “Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Procedimi ka nisur pas denoncimit të bërë më 12 janar të vitit që shkoi nga shtetasi A.GJ., me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë Mat. Në kallëzimin e bërë në pro-kurori, ai ka deklaruar se që nga dhjetori i vitit 2014 e në vazhdim, është shqetësuar vazhdimisht në telefon nga numri i celularit xxxxx089.

Më konkretisht, personi që disponon numrin e celularit në fjalë i dërgon mesazhe me përmbajtje fyese në numrin e tij të punës i cili është xxxxx015. Pas denoncimit, u kryen një sërë veprimesh hetimore. Më konkretisht i është kërkuar informacion kompanisë së telefonisë celulare për sa i përket identifikimit të abonentit, i cili ka në përdorim numrin xxxxx086.

“Nga shkresa në datën 12.03.2015 e kompanisë celulare rezultoi se numri xxxx089 figuron i regjistruar në emër të shtetasit A.B. Janë marrë deklarimet e shtetasit A.B., i cili ka shpjeguar se ai që prej vitit 2011 e deri në vitin 2014 ka regjistruar në emrin e tij shumë numra celularë të kompanive të ndryshme, të cilët më pas i shiste. Për sa i përket numrit XXXXX-089, ai ka shpjeguar se këtë numër ai nuk e ka përdorur asnjëherë vetë, por e ka shitur, por nuk i kujtohet se kujt.

Në këto kushte, i është kërkuar përsëri informacion kompanisë celulare. Asaj i është kërkuar identifikimi i numrit “IMEI” të aparatit celular, nga i cili është përdorur numri xxxxxx089 për periudhën nga muaji dhjetor të vitit 2014 e në vazhdim. Pas identifikimit të numrit “IMEI”, janë kërkuar të dhëna në lidhje me identifikimin e numrave të tjerë celularë që mund të jenë përdorur nga ky aparat celular për periudhën e sipërpërmendur”, thuhet në dosjen e pro-kurorisë së Matit.

Mësohet se, me gjithë hetimet e kryera, nuk është bërë i mundur identifikimi i autorit të mesazheve, ndaj është bërë pezullimi i procedimit penal nr.30, i vitit 2015. Por më vonë, numri xxxxx089 ka vazhduar t’i dërgojë oficerit të policisë gjyqësore A.GJ., mesazhe me përmbajtje fyese. Përsëri ky shtetas ka bërë kallëzim në prokurorinë e Matit. Duke qenë se numri xxxxx089 më vonë është përdorur në apa-ratet celulare të anëtarëve të familjes, është bërë e mundur të identifikohet se autori i këtyre mesazheve është shtetasi Xh.B., pu-nonjës policie pranë Komisariatit të Matit. Të premten që shkoi, prokuroria e Matit ka vendosur regjistrimin e procedimit penal nr.39, të vitit 2016, në ngarkim të Bajramit, si i dyshuar për veprën penale të “Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Gjithashtu, dje është vendosur rifillimi i hetimeve për procedimin penal nr.30/2015 si dhe bashkimi i këtyre dy procedimeve penale në një procedim penal të vetëm. Aktualisht kjo çështje është duke u hetuar nga Prokuroria e Matit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb