DURRËS- “Jam e pafajshme, nuk kam lidhje me akuzat për mashtrim”. Kështu deklaroi ditën e sotme para togave të zeza 27-vjeçarja Enertila Beqja, e cila akuzohet se me anë të mashtrimit i ka marrë 60 milionë lekë të dashurit të saj virtual.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për ‘BalkanWeb’ se e reja ka mohuar kategorikisht akuzat, ndërsa u shpreh e vendosur se nuk e njihte 30-vjeçarin Barush Ahmetin. “Nuk kam lidhje me këtë ngjarje. Kërkoj që të jem afër nënës time që e kam të sëmurë. Ndaj, më lironi. Të gjitha mobiljet në shtëpi i kemi blerë me kempin e mamit, pasi ajo është invalide. ”, është shprehur më tej e reja, ndaj të cilës gjykata vendosi masën ‘Arrest me burg’.


Sakaq, prokurori i çështjes tha në sallën e gjyqit se Enertila Beqja i paraqitej të riut në ‘Facebook’ me emrin Elona Gjoka, shkruan ‘BalkanWeb’, ndërsa dyshohet se me këtë profil i ka zhvatur për një periudhë tri vjeçare shumën e madhe të lekëve.


Ndërkohë, mes sendeve që sekuestroi policia ishin tre televizorë plazmë, madje edhe një pistë vrapimi.
Mes të tjerash, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha veshmbathjet e vajzës në banesën e saj në Manzë, përfshi edhe bizhuteritë (varse, ora, vëth), si dhe disa mobilie shtëpiake e pajisje elektronike, që pretendohen se janë blerë nga i dashuri i saj virtual.
(ed.me/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb