TIRANË- Gent Sejko, i dekretuari i Presidentit të Republikës për Guvernator të Bankës së Shqipërisë ka prezantuar sot në Komisionin e Ekonomisë vizionin e tij për drejtimin e këtij institucioni. Sejko i ka mëshuar fort çështjes së menaxhimit si një nga më të rëndësishmet, mungesa e të cilit, sipas tij solli ngjarjen në Thesar. Vjedhja e thesarit të BSH, u konstatua gjatë një auditi të Brendshëm në fund të muajit korrik, nga i cili rezultoi se mungonin 713 mln lekë.

“Vizioni im bazohet në katër çështje: Së pari Menaxhim-Administrim. Do
theksoja së nuk ka çështje të vogla. Vëmendja më e madhe vërtetë është fokusuar tek politika monetare dhe mbikëqyrja, por menaxhimi është i rëndësishëm, pasi mungesa e tij solli ngjarjen në Thesar”, ka thënë Sejko.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të funksionojnë gjithë hallkat e
sistemit, sidomos kontrolli i brendshëm. Ai ka theksuar se ngjarja e ndodhur ka nevojë për një plan për të përmirësuar imazhin e BSH­së, i cili u cenua rëndë nga ngjarja.

“Kjo është e lidhur edhe me Inspektorin e Përgjithshëm. Burimet njerëzore
janë shumë të rëndësishme. Janë një vlerë për BSH-në, por duhen parë politikat e rekrutimit, duhen parë rregullat e promovimit që nga fillimi e deri tek rritja në karrierë”, ka thënë Sejko.

Më 19 dhjetor Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, i propozoi
zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë kandidaturën e Gent Sejkos, për anëtar
të këtij Këshilli, çka i hap rrugën zgjedhjes së tij në krye të BSH-së. Gent Sejko u dekretua nga Presidenti Nishani si kandidat për Guvernator i BSH-së, ndërkohë që kandidatura e tij për Këshillin Mbikëqyrës u mbështet edhe nga Partia Socialiste.

Përveç Sejkos, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka dëgjuar sot edhe dy kandidaturat e tjera të përzgjedhura për Këshillin Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola. Dy kandidaturat Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola janë propozim i vetë Kuvendit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb