Policia e Kosovës e ka konfirmuar arratisjen e Enver Sekiraqës. Ndonëse ishte në survejimin nga Policia, Sekiraqa duket se ia ka dalë që të humbë gjurmët. Sekiraqa ndodhej në arrest shtëpie, më pas ishte liruar nga kjo masë, ndërsa një ditë më parë Gjykata e Apelit ka marrë vendimin për rikthimin në paraburgim lidhur me rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.

Departamenti Special e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar.

Më 3 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim dhe në shpallje të aktgjykimit, gjyqtari e kishte liruar nga masa e arrestit shtëpiak.

“Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin PN1.S.nr.91/2024, të datës 17.05.2024, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020 të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar, ashtu që të pandehurit E.S, i është caktuar masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me aktgjykimin e gjykatës themelore. Të pandehurit E.S, masa e paraburgimit i është caktuar konform dispozitës së nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi.1.1 e 1.2, kushti nga pika 1.2.1, lidhur me nënparagrafin 1.3 të KPPRK.”

Lidhur me rastin ka reaguar edhe avokatja e tij, Kosovare Kelmendi.

Kelmendi tha se këtë nuk mund ta konsideron si arratisje.

Ajo deklaroi se për rastin informacionet i ka marrë nga portalet.

“Unë personalisht nuk mund ta quaj dhe konsideroj arratisje për faktin se i njëjti ka qenë në liri dhe ai nuk ka qenë i obliguar ta pres në shtëpi një vendim të Apelit në cilindo variant. Tani, fakti që policia sot nuk e kanë gjetur në shtëpi, kjo nuk është kontestuese, por, a është arratisur apo për momentin nuk ka qenë në shtëpi dhe ka mundësi të kthehet apo paraqitet, unë ketë nuk e di meqë nuk kam informacion, meqë është fjala për 24 orët e para pas vendimit të Gjykatës se Apelit. Kjo mbetet të shihet tutje.

Unë si mbrojtëse e të akuzuarit Enver Sekiraqa, i cili deri dje me datën 17.05. 2024, ka qenë i lirë pas shpalljes së aktgjykimit, kam pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit duke u aprovuar ankesa e Prokurorit Special. Nga portalet kam kuptuar se i akuzuari nuk ka qëlluar në shtëpi me rastin e kërkimit sot nga ana e policisë”, deklaroi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb