Policia shqiptare, në bashkëpunim me atë greke ka finalizuar operacionin e koduar “In Time”. Në kuadër të operacionit, është arrestuar në Athinë Jani Alia, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Alia ishte ndër pesë personat më të kërkuar nga policia shqiptare. Jani Alia është autori i vrasjes së Elton Çiços, ngjarje kjo e ndodhur në zonën e ish-bllokut.

“Policia e Shtetit

Operacion i përbashkët ndërkombëtar për kapjen e të kërkuarve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni i koduar “IN TIME” në bashkëpunim me Policinë Greke.

Në Athinë kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Jani Alia, 47 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia Greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas.

Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim”, njofton policia.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: