TIRANE- Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar konfiskimin e rreth 13.5 milionë lekëve të reja, në disa llogari bankare Elidon Bejkos, i dënuar në Zvicër për trafik lëndësh narkotike. Në bazë të informacionit të përfituar gjatë hetimit, rezulton se Bejko, gjatë kohës që ushtronte aktivitetin kriminal në Zvicër, ka sjellë shuma të konsiderueshme frangash, të cilat janë depozituar në llogari bankare në emër të tij dhe familjarëve të tij.

“Nga studimi i vendimit nr.27 datë 09.06.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë rezultonte se shtetasi Elidon Bojko është i dënuar në shtetin Zviceran dhe për këtë të fundit ishin pushuar hetimet në Shqipëri pasi për të njëjtin fakt penal ai ishte i dënuar në shtetin zviceran. Për nevoja të hetimit pasur është administruar dhe janë marrë aktet e procedimit penal nr.39 të vitit 2003 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Në këto akte të cilat kanë mes tyre dhe dënimin e shtetasit Elidon Bojko, vendim i cili është marrë me letërporosi nga autoritetet zvicerane. Sipas vendimit të datë 19.09.2002 i Gjykatës Cheux-de-Fonds Zvicer rezulton se shtetasi Elidon Bojko është arrestuar në datën 13.01.2002 nga policia zvicerane me 34.2 gram heroinë. Në vendim thuhet se shtetasi Elidon Bojko është dënuar dhe në vitin 1997 për shkelje të më vogla se në vendim.”, citohet në dosjen e prokurorisë.

Më tej në dosje thuhet se: “Në këto kushte, ekzistonin të dhëna se shtetasit Aleksandër Bejko dhe Elidon Bojko, janë subjekt i hetimit pasuror sipas ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe Trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, sipas nenit 3/1 pikat “ç”dhe “d”, pasi të dy këta shtetas rezultonin të dënuar respektivisht në Shqipëri shtetasi Aleksandër Bojko për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, në bashkëpunim”, “Pastrimit të produketeve të krimit”, parashikuar nga nenet 283/2, 287 të Kodit Penal dhe Zvicër për shtetasin Elidon Bojko për veprat penale të shkeljes së ligjit për narkotikët dhe pastrimit të parave parashikuara si të tilla dhe në nenin 283/2 të Kodit Penal Shqiptar, si dhe dhe në nenin 287 të Kodit Penal Shqiptar.

Për këtë shtetasit Aleksandër Bojko, Elidon Bojko dhe familjarët e tyre janë kryer verifikimet e duhura hetimore paraprake dhe ndaj këtyre të fundit janë identifikuar pasuritë të cilat nuk justifikoheshin nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohet se lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale e ushtruar nga këta shtetas. Si nga vendimi penal nr.27 datë 09.06.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, dhe nga aktet e marra me vendimin për marrje aktesh të procedimit penal nr.39 të vitit 2003 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, rezultoi e provuar se shtetasi Elidon Bojko e ka kryer veprën penale duke filluar nga qershori i vitit 2001.

Nga dosja hetimore dhe në vendimin gjyqësor të datë 19.09.2002 i Gjykatës Cheux-de-Fonds Zvicer rezulton se shtetasi Elidon Bojko përveç sasive të lëndëve narkotike të sekuestruara rezulton se ka dërguar në Shqipëri për periudhën që nga gushti 2001 deri në dhjetor 2001 sasinë prej 134.000 CHF(franga zvicerane).”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: