Një atentat u krye sot në Berat ndaj 46-vjeçarit Altin Halili, i cili është një individ me precedentë të mëparshëm kriminalë. Halili, i dënuar më parë për vrasje, ishte në qendër të sulmit kur automjeti i tij u qëllua me armë zjarri.

Ngjarja ndodhi në orët e pasdites, kur automjeti i Halilit, qëndronte në rrugën e fshatit Dyshnik. Fatmirësisht, 46-vjeçari i shpëtoi atentatit pa pësuar dëmtime.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, të cilat nisën një kërkim të gjerë për të identifikuar dhe kapur autorët e sulmit. Automjeti i cili mendohet se i përket autorëve u gjet i djegur disa kilometra larg vendit të ngjarjes.

Altin Halili ka qenë i dënuar për vrasje në vitin 1997, kur ai vrau Sokol Kaloshin në Rremas të Lushnjes. Halili u lirua nga burgu në vitin 2010 pas përfundimit të dënimit të tij.

Aktualisht, policia është angazhuar në hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe për të gjetur autorët e atentatit. Ata janë në kërkim të pista që mund të çojnë në kapjen e personave të dyshuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb