Familjaret e Arben Grorit debat të fortë në gjykatën e Tiranës. Gjithçka ka nisur në sallën e gjyqit, kur gjykatësi që po shqyrton çështjen për rishikimin e vendimit, i ka lënë vetëm 4 ditë kohë avokatit për t’u njohur me dosjen voluminoze.

Në këtë moment, familjarët e të dënuarit me burgim të përjetshëm kanë debatuar ashpër, duke i drejtuar gishtin gjykatësit se në këtë mënyrë po paragjykon çështjen. Madje, ata kanë shkuar edhe më tej, kur i kanë përmendur kryesuesit të trupës, faktin se “nuk mundet që me dosjen e djalit të tyre të kalojë vettingun”.

Pavarësisht situatës së krijuar, gjykata caktoi ditën e hënë për seancën e radhës. Arben Grori është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata e Milanos për vrasjen e Naim Zyberit në një spital në Itali, krim që e kreu në bashkëpunim me Gert Gjeneralin (Gjinararin).

Gjykatat shqiptare bënë vite më parë njohjen e vendimit të huaj penal dhe Arben Grori prej dy dekadash mbahet i izoluar në burgjet e sigurisë së lartë. Pas lirimit të Gjeneralit, gjykata e Apelit vendosi të pranojë kërkesën e Grorit dhe t’i japë të drejtën për rishikimin e vendimit. Gjykata e Tiranës pritet të dalë me një vendim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb