TIRANË- Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një ish-të dënuar për prostitucion pasi ka marrë peng dhe ka dhunuar një 45-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, kur rreth orës 22:00, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë, se në zonën e njohur si “Uzina e Autotraktorëve”, një shtetas ishte keqtrajtuar fizikisht dhe po mbahej, pa dëshirën e tij në një banesë.

Menjëherë janë dërguar Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 1, të cilët kanë marrë kontakt me shtetasen M. F., e cila sqaroi punonjësit, se bashkëshortin e saj, shtetasin G. F., e kishte goditur shtetasi Besnik Sylaj dhe po e mbante pa dëshirën e tij në banesë.

Efektivët e policisë kanë hapur dhe hyrë në banesën e pengmarrësit por në brendësi të saj nuk është konstatuar asnjë person. Policia ka konstatuar disa njolla si ato të gjakut që dyshohej se mund të ishin të shtetasit G. F.

Ndërsa hetimet dhe kërkimet kanë vijuar gjatë gjithë natës, sot rreth orës 07:00 të mëngjesit, në ambientet e ish-Uzinës së Autotraktorëve, policia ka gjetur shtetasin G. F., i cili u dërgua në Spitalin e Traumës, pasi kishte dëmtime në pjesën e fytyrës dhe të brinjëve, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr 1, kanë organizuar punët ku kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar, shtetasin:
• Besnik Sylja, 34 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Shfrytëzim të Prostitucionit”.
Nuk dihet motivi i kësaj ngjarjeje dhe policia pritet të marrë në pyetje të plagosurin dhe autorin për të zbardhur arsyet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Heqje të paligjshme të lirisë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: