Në emisionin Me zemër të hapur në News 24 u diskutua çështja e Muhamet Sallait, që ndërroi jetë pak ditë më parë në burgun e Fierit.

Nëna e Muhametit tha se djali ka qenë në burg për vrasje dhe se kur ka ndodhur ajo ngjarje, e ka dorëzuar djalin vetë me duart e saj në polici. Nëna deklaroi se shiste rroba e rrecka që ta mbante djalin në burg. Ajo shprehet se djalin e ka dërguar në burg dhe jo që të vritet në qeli. Sipas saj, djali vetëm njëherë i ka thënë se “është mërzitur pak”.

Ajo shprehet më tej se i kanë thënë se djali i saj mund të ketë vdekur nga overdoza. Sipas saj, nëse kjo është e vërtetë, do që të dijë se kush e futi në burg drogën, derisa kjo gjë është e palejuar.

“Djalin shkoja e takoja njëherë në muaj ose dy herë në muaj. Shumë mirë ka shkuar takimi. Po më ka thënë vetëm këtë, që ‘mami jam mërzit’. Ka qenë i martuar dhe i divorcuar me dy fëmijë. E kam martuar të vogël. Vetë nusja e ka divorcuar, pasi u përfshi në ngjarjen e rëndë. Një muaj nuk i kam çuar fëmijët te burgu ku ai rrinte. Më tha që jam mërzitur, por nuk më tha arsyen. Shisja rroba e rrecka vetëm t’ja çoja djalit. Nuk ka pasur probleme që të rrihet me shokët, jo, ka qenë njeri i qetë.

Doktori më ka thënë se arsyeja e vdekjes ka qenë kequshqyerja, por më duket e çuditshme sepse hante. Një version mund të jetë edhe overdoza. Unë e kam çuar djalin të bëjë burgun dhe jo ta vrasin. Muhameti ka qenë përdorues i drogës më parë, por e kishte lënë. Kishte bërë gjysmën e dënimit. Shoqëria e keqe e mori në qafë, ishte përdorues i drogës. Djali im është dënuar për vrasje. Më erdhi policia në derë e më tha që djali yt ka vrarë një person. I thashë policisë që unë do ta gjej dhe do ta dorëzoj. Nuk di asgjë për personin që ka mbetur viktimë. Të dy kanë qenë përdorues të lëndëve narkotike. Djali nuk më ka thënë detaje për këtë ngjarje”, tha nëna e Muhamet Sallait.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb