Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tatiana Vorozhko, Trump premtoi gjatë fushatës elektorale se do t’i japë fund konfliktit me shpejtësi. Një Gjeneral në pension mes vizionit të tij për t’i dhënë fund luftës dhe sfidat me të cilat mund të përballet në misionin e ri.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka emëruar gjeneralin 80-vjeçar në pension, Keith Kellogg, si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë. Gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, Kellogg shërbeu në Këshillin Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare.
Kurt Volker, i dërguari special amerikan për Ukrainën gjatë administratës së parë të Presidentit Trump, thotë se Gjenerali Kellogg është përzgjedhja e duhur.
“Ai është një udhëheqës ushtarak me përvojë, gjeneral me tre yje, çka është thelbësore. Ka marrëdhënie të ngushta me Presidentin Trump, duke e bërë të mundshëm komunikimin e tyre të drejtpërdrejtë”.
Detyra e gjeneralit, thotë Volker, do të jetë zbatimi i vizionit të Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Do të përçojë mesazhet e Presidentit Trump, do të përcjellë realitetin në terren dhe do të sjellë në Uashington mesazhet nga çdo palë”.
Në postin e bashkëkryetarit të Qendrës për Sigurinë Amerikane pranë organizatës “America First Policy Institute”, Kellogg është bashkautor i një plani për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai rekomandon që Uashingtoni të nisë një politikë zyrtare në “kërkim të një armëpushimi dhe marrëveshjeje të negociuar”.
Sipas planit në fjalë, nëse Kievi pranon hyrjen në bisedime me Rusinë, Uashingtoni do të vazhdojë armatimin e Ukrainës. Për të tërhequr Rusinë në negociata, Kellogg sugjeron shtyrjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO në këmbim të garancive për sigurinë. Ai foli për këtë plan me Zërin e Amerikës në muajin korrik.
“Nuk do të thotë që Ukraina të dorëzohet dhe të heqë dorë nga territori”.
Kellogg e kritikoi administratën e Presidentit Biden se nuk kishte bërë mjaftueshëm për ta mbështetur Ukrainën ushtarakisht.
Evelyn Farkas, zëvendës-ndihmës sekretare e mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë gjatë administratës së Presidentit Obama, është dakort.
“Me të drejtë ai ka vënë gishtin mbi disa nga dobësitë e administratës aktuale dhe administratave të mëparshme, çka do të thotë se nuk e mbështetëm mjaftueshëm materialisht Ukrainën. Administrata e Presidentit Trump ka ndërmarrë një hap të mirë sa i përket emërimit të dikujt që është ekspert i aftë, ndërsa e ka cilësuar si çështje të përparësisë së lartë”, thotë zonja Farkas.
John Herbst, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë nga viti 2003 deri në 2006, thotë se zoti Kellogg e kupton se agresioni i Putinit në Ukrainë përbën kërcënim për interesat amerikane në Evropë dhe mbarë botën.
“Ai e kupton se dhënia fund e luftës, që siguron atë që dëshiron zoti Trump, mbijetesën e Ukrainës, është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara”.
Ish këshilltari për sigurinë kombëtare gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, aktualisht kritik i zëshëm ndaj tij, John Bolton thotë se Kellogg nuk ka përvojë të mjaftueshme për këtë detyrë.
“Ai vetë nuk e kupton konfliktin dhe është kundërshtar i NATO-s në shumë aspekte.”
David Kramer ka shërbyer si zëvendës ndihmës sekretar i shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike gjatë administratës së Presidentit Xhorxh W. Bush. Ai e sheh ekipin për sigurinë kombëtare, të propozuar nga zoti Trump, si shenjë shprese për Ukrainën dhe Evropën.
“Përzgjedhja e Kellogg si i dërguar special është një shenjë shumë shpresëdhënëse. Senatori Marco Rubio, që shpresojmë të jetë Sekretar i Shtetit, e kupton më së miri situatën. Këshilltari për sigurinë kombëtare, Michael Waltz, është një zgjedhje shumë e mirë.”
Gjenerali Kellogg pritet të punojë nga afër me Waltz, i cili e vlerësoi atë në rrjetin X si “të përkushtuar për një zgjidhje paqësore të luftës në Ukrainë”./ VOA
(BalkanWeb)