DURRES- Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka reaguar publikisht një ditë pasi BIRN zbuloi vendimin e Gjykatës së Apelit për lirimin e ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Sipas këtij vendimit, vetë kryebashkiaku Dako kishte dërguar një letër garanci për punësim.

Por ashtu, si edhe në reagimin e Bashkisë Durrës disa orë pas pulbikimit të vendimit, edhe Dako theksin se Lulzim Berisha ka plotësuar një formular tip, i cili përfshin punë vullnetare në komunitet, ashtu si ka të drejtë të veprojë çdo i dënuar për të fituar liri me kusht.

Ky formular, sipas Bashkisë së Durrësit ofrohet në të gjitha bashkitë e vendit.

Nisur nga kjo, Dako thekson se Bashkia e Durrësit ka plotësuar procedurat standarde, të cilat kryhen për çdo të dënuar, duke shtuar se “nuk ka bërë asnjë kompromis për Lulzim Berishën”.

“Bashkia e Durrësit ka plotësuar procedura standarde, dhe këto procedura kryhen për çdo të dënuar. Institucioni që unë drejtoj nuk ka bërë asnjë kompromis, pasi kjo është një referencë standarde si për të gjithë të dënuarit. Lulzim Berisha ka kërkuar që të punojë vullnetarisht. Kërkesa e tij është bërë përmes një formulari tip. Të dënuarit me kusht plotësojnë formularin”, sqaroi Dako.

Një ditë më parë BIRN mësoi se, treshja e gjyqtarëve të Apelit është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një shkresë të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016.

“Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat,” citohet shkresa e Dakos në vendimin e lirimit.

Më pas, gjyqtarët argumentojnë se “pozitiv vlerësohet fakti se aktualisht kërkuesi Lulzim Berisha ka një mundësi punësimi të garantuar nga Bashkia Durrës”.

Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka marrë gjithashtu vlerësimin se Lulzim Berisha “shfaq një gjendje shumë të rënduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të dënimit të vuajtur”, pendesën e tij për krimet dhe faktin se dy prindërit e tij janë të sëmurë rëndë dhe jetojnë vetëm.

Ky vendim solli reagime të ambasadorit amerikan, Donald Lu, i cili tha se lirimi Berishës ishte i papranueshëm dhe duhet të na indinjojë. Kambanë alarmi e cilësoi nga ana tjetër edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb