Aktiviteti i plogët strategjik i ushtrisë ruse i prishi planet Presidentit të Rusisë dhe kjo e bën atë edhe më të paparashikueshëm. Në pamundësi për t’u tërhequr, ai mund të joshet të godasë me mënyra të tjera, qoftë përmes sulmeve më masive, duke e zgjeruar konfliktin, qoftë përmes luftës hibride, kibernetike apo me armë të shkatërrimit në masë. Dekada më parë, muzikanti i njohur britanik Sting, te kënga “Rusët”, një nga sukseset e tij të hershme, shpreh logjikën e Luftës së Ftohtë: “Ajo që mund të na shpëtojë ne, mua dhe ty, është në qoftë se edhe rusët i duan fëmijët e tyre”. Por, duke parë agresivitetin e liderit rus, që nuk po lëndohet nga vdekja e fëmijëve, përballemi me një të vërtetë të tmerrshme se një ditë mund të jemi subjekt të një sulmi me armë të shkatërrimit në masë. Historia e luftërave thekson se udhëheqësit, shpesh, i futin vendet e tyre në luftëra, që duken të pafitueshme. Luftëra, që kundërshtarët e tyre nuk i kanë parashikuar sepse ishin shumë të qarta, që do të përfundonin në katastrofë. Prandaj, deklarata e z. Putin se mund të përdorë armë bërthamore po merret seriozisht. Në qoftë se ai do të përdorë armët bërthamore, nuk bëhet më fjalë për Ukrainën dhe Rusinë dhe atë që Rusia po i bën Ukrainës, por bëhet një çështje e Shteteve të Bashkuara, e NATO-s, e pesë fuqive bërthamore, anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKBsë dhe, pikërisht për këtë, kryetarët e shteteve dhe të qeverive anëtarë të Aleancës vendosën, dje, në Samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s, t’i ofrojnë Ukrainës ndihmë edhe për mbrojtje kundërkimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore, me përgjegjësinë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit matanë Ukrainës.

Perspektiva e një lufte bërthamore me Rusinë pengon Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s ta bëjnë hapësirën e Ukrainës një zonë, ku ndalohen fluturimet, si dhe të furnizojnë Ukrainën me avionë luftarakë. “Presidenti Bajden,-thotë sekretari Blinken,- ka përgjegjësinë që të mos na fusë në një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe të rrezikojë një luftë, që do të zgjerohet edhe përtej Ukrainës, në Europë”. Kështu, Perëndimi përballet me një dilemë: nga njëra anë, përpiqet me sa mundet të mbështesë Ukrainën në luftën e saj për liri kundër pushtimit të Rusisë, ndërsa në anën tjetër nuk dëshiron të nxitë një luftë të madhe midis Rusisë dhe NATO-s. Prandaj, pyetja kryesore është: a mund të bëjë Perëndimi më shumë për të mbështetur efektivisht ushtrinë e Ukrainës pa rrezikuar përshkallëzimin me Rusinë, kur Rusia hedh në erë bazën ushtarake në Yavoriv, pranë kufirit me Poloninë.

Këtë sulm, shumë ekspertë e konsiderojnë si një paralajmërim të asaj që mund të vijë më pas. Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara po vendosin në Poloni bateri raketash Patriot, kurse Gjermania dhe Holanda po i vendosin ato në Sllovaki. Po kështu, qindra mijëra forca ushtarake të Aleancës janë në gatishmëri, ku mbi njëqind mijë trupa janë amerikanë dhe rreth 40,000 janë nën komandën e drejtpërdrejtë të NATO-s, të vendosur, kryesisht në krahun lindor të Aleancës dhe që mbështeten nga një arsenal i madh ajror dhe detar, përfshirë pesë grupe luftarake aeroplanmbajtëseshe që nga Veriu europian deri në Mesdhe.

KËRCËNIMI ATOMIK

Dy javë pas fillimit të luftës për të pushtuar Ukrainën dhe për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, Presidenti Putin i kaloi forcat e veta strategjike në nivelin më të lartë të gatishmërisë si përgjigje ndaj paketës të përshkallëzuar të sanksioneve ekonomike kundër Rusisë dhe qëndrimeve, që ai i quajti “deklaratat agresive” të Perëndimit.

Loja me zjarrin bërthamor është zhvillimi më i frikshëm, që ka zënë vend shpesh në shprehjet e kreut të Kremlinit si kërcënim kundër vendeve perëndimore, që mbështesin Ukrainën. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, perspektiva e konfliktit bërthamor “tashmë po bëhet e mundshme si një zhvillim drithërues, që kërcënon të gjithë njerëzimin”.

Ky shantazh bërthamor i zhurmshëm, sigurisht, është një element i luftës psikologjike. Mundësia për përdorimin e armëve bërthamore është jashtëzakonisht e ulët, por nuk është zero dhe madje mund të rritet nga ndonjë keqkuptim ose provokim, që del jashtë kontrollit (U. Kühn, Hamburg).

Sot, Rusia, si edhe Shtetet e Bashkuara, kanë armë bërthamore, që janë shumë më pak shkatërruese, p.sh., një bombë B61 Model 12 me eksploziv bërthamor mund të ketë vetëm 2 për qind të fuqisë të bombës së Hiroshimës, por përdorimi i tyre mund t’i hapë rrugë përshkallëzimit në një luftë të plotë bërthamore.

Analistët vënë në dukje se trupat ruse kanë praktikuar prej kohësh kalimin nga lufta konvencionale në atë bërthamore, veçanërisht për të dalë në krye pas humbjeve në fushën e betejës. Dhe ushtria ruse, shtojnë ata, që zotëron arsenalin më të madh bërthamor në botë, ka një sërë opsionesh përshkallëzuese, nga të cilat zoti Putin mund të zgjedhë.

Disa studiues të Universitetit Princeton simuluan një teatër luftarak, që fillon me një të shtënë paralajmëruese bërthamore të hedhur nga Moska, NATO kundërpërgjigjet me një goditje të vogël, por lufta që pason shkakton më shumë se 90 milionë viktima që në orët e para.

Putini mendon se te kundërshtarët e vet po zë vend ideja e përshkallëzimit të konfliktit bërthamor, e cila kufizon gatishmërinë e tyre për ta sfiduar atë ushtarakisht. Kësisoj, ai kërkon të mbajë larg miqtë e Ukrainës dhe t’u sigurojë forcave të veta pushtuese liri veprimi në “operacionin e tyre të posaçëm ushtarak”- eufemizmi zyrtar i Kremlinit për pushtimin e Ukrainës. Nga ana tjetër, ai, gjithashtu, synon të terrorizojë popullsinë ukrainase dhe europiane me anë të tmerrit atomik, të nxitë përçarje në Perëndim, në mënyrë që opinioni publik të shqetësohet dhe Perëndimi ta detyrojë Ukrainën të negociojë.

Deklarata publike e ministrit të Jashtëm, Lavrov se, po të shpërthente Lufta e Tretë Botërore, do të përdoreshin armët bërthamore dhe do të ishte shkatërruese tregon që në këtë fazë të hershme të krizës, këto kërcënime janë kryesisht një blof për të detyruar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n të kufizojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën. Po kështu, Dimitri Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, refuzon të përjashtojë përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia. “Nëse do të ndodhemi para një kërcënimi ekzistencial për vendin tonë, atëherë mund t’i përdorim”, i tha ai CNNit më 22 mars.

Pentagoni vëren se urdhri “i panevojshëm dhe shumë përshkallëzues” i Putinit nuk ka rezultuar me “ndonjë lëvizje të dukshme muskujsh”. Por, në qoftë se lufta vazhdon, mund të ekzistojë një rrezik real që Rusia të përdorë armët bërthamore si mjetin e fundit në një përpjekje të dëshpëruar për të shmangur një humbje të turpshme ushtarake Gjenerallejtënant Scott D. Berrier, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve se, në ditët në vijim, zoti Putin do t’i rritë kërcënimet atomike. Moska ka të ngjarë të “mbështetet gjithnjë e më shumë në fuqinë e saj bërthamore për të shkurajuar Perëndimin”, pasi lufta dhe pasojat e saj e dobësojnë Rusinë. Kësisoj, debati rrjedh rreth gjasave që ka Rusia të përdorë, fillimisht, armë bërthamore me intensitet të ulët apo të ulë pragun e përdorimit të armëve bërthamore, gjë që mund të çojë në përdorimin taktik të tyre dhe nëse përdoren nga brenda territorit rus, ato mund të godasin të gjithë Europën”, përfshirë Britaninë e Madhe.

PAQARTËSI DOKTRINORE

Ka disa vite që Rusia përpiqet të ruajë një paqartësi në doktrinën dhe konceptet e përdorimit të forcës bërthamore. Në qoftë se një dozë paqartësie është e natyrshme në përpjekjet shkurajuese, paqartësitë ruse, thonë studiuesit, kanë një luhatje që, në fakt, i shërbejnë Putinit në kohë lufte.

Në vitin 2017, Moska publikoi një doktrinë të formuluar në mënyrë të paqartë që thoshte se, në një konflikt të madh mund të kryente një “demonstrim të gatishmërisë dhe vendosmërisë për të përdorur një armë bërthamore jostrategjike” (armë bërthamore taktike). Kurse, në një dokument të vitit 2020, qeveria ruse dukej se i zgjeronte më tej kushtet se kur mund të përdorej një armë bërthamore jostrategjike, si, p.sh., kur kundërshtari përdor dronë dhe pajisje të tjera, që, potencialisht, nxitin linjat e kuqe bërthamore të Rusisë.

Doktrina e luftës atomike e Rusisë është bërë e njohur nga koncepti “përshkallëzoni për të shpërshkallëzuar”, që do të thotë se trupat e shkatërruara do të godisnin me një armë bërthamore për të hutuar agresorin dhe ta detyrojnë të tërhiqet apo të nënshtrohet. Moska e ka praktikuar vazhdimisht këtë taktikë në stërvitjet në terren. Kësisoj, zoti Putin, do të ndërmerrte një sulm të vetëm bërthamor nëse do të përballej me luftime të kufizuara me NATO-n ose me pengesa të mëdha në Ukrainë për të cilat ai fajëson Perëndimin.

Në ditët e para të ofensivës, Dmitri Medvedev, ish-Presidenti dhe Kryeministri i Rusisë, si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve, postoi një mesazh rrëqethës se Rusia mund të prishë disa nga marrëveshjet e veta më të rëndësishme me Perëndimin, si: (i) traktatin START i ri, marrëveshja për reduktimin e armëve bërthamore e nënshkruar me Shtetet e Bashkuara më shumë se një dekadë më parë, si dhe të gjitha lidhjet diplomatike me vendet perëndimore. “Është koha për të varur dryna të mëdhenj në ambasada”, shkroi ai.

Dy muaj më parë, në janar 2022, në Paris, në kuadër të grupit P5 (5 fuqitë bërthamore), Rusia u zotua të reduktojë rreziqet strategjike, por sot, e egërsuar nga kundërpërgjigjja e Ukrainës, mund të mosrespektojë gjithçka, që është arritur në kontrollin dhe kufizimin e armëve bërthamore, kryesisht, në Traktatin e Mospërhapjes të Armëve Bërthamore, i njohur si NPT dhe traktatin START i ri.

Sot, në botë, ka 12,700 bomba atomike, 90% të të cilave i zotërojnë Shtetet e Bashkuara: 5400 dhe Rusia: 6000. Siç shihet, Moska ka një arsenal të madh bërthamor, i cili mbetet një faktor qendror në politikën globale. Por, nëse z. Putin vendos të përdorë qoftë edhe një armë bërthamore, botën do ta pllakosë një gjëmë e paparë.

A DO TË PËRDORË RUSIA ARMË KIMIKE NË UKRAINË?

Më 11 mars 2022, Rusia thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKBsë për të parashtruar pretendimet e veta të paprovuara se Ukraina, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ka ngritur laboratorë të armëve biologjike.

Pretendimi i Rusisë u hodh poshtë dhe vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit e quajtën “një gënjeshtër” dhe “të pakuptimtë”. Ata akuzuan Rusinë se dezinformon si një prelud i mundshëm për të nisur sulme biologjike ose kimike kundër Ukrainës dhe, më pas, të fshehë veprimet e veta.

Sipas një marrëveshjeje të vitit 2005, Pentagoni ka ndihmuar disa laboratorë të shëndetit publik ukrainas për përmirësimin e sigurisë të patogjenëve të rrezikshëm dhe u ka ofruar teknologji për kërkime, gjë që është mbështetur nga vende të tjera dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Por, strategjia ruse e manipulimit, e praktikuar veçanërisht në Siri, bazohet në një dialektikë paralajmërimi dhe denoncimi përpara përdorimit. Ky skenar mund të përsëritet edhe në Ukrainë, vëren Përfaqësuesi i Përhershëm i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).

Aleatët janë tepër të shqetësuar sepse Rusia vazhdon të mbështesë regjimin e Asadit në Siri dhe ta mbrojë atë nga përgjegjësia kur OKB-ja dhe OPCW kanë konfirmuar se Assad ka përdorur vazhdimisht armë kimike gjatë viteve të fundit të konfliktit, sigurisht, me përkrahje ruse. Po kështu, shërbimet ruse kanë përdorur agjentë kimikë për të sulmuar dhe helmuar kundërshtarë politikë, si: Aleksei Navalni dhe Sergei e Yulia Skripal.

Këto ditë, autoritetet lokale ukrainase kanë akuzuar Rusinë se ka përdorur municione me fosfor të bardhë në Lutsk, në perëndim të vendit, dhe në Popasna, në lindje. Fosfori i bardhë është një substancë, që e përdorin ushtritë për tym, ndriçim dhe municione ndezëse, po zakonisht, fosfori përdoret në municione gjurmëlënëse. Sidoqoftë, armët kimike kanë aftësinë të terrorizojnë popullsinë civile. Edhe pse armët konvencionale bëjnë dëme të tmerrshme, siç po i shohim në Mariupol, tabuja e përdorimit të armëve kimike dhe konventat ndërkombëtare, që i dënojnë ato, luajnë një rol të madh psikologjik.

Përdorimi i armëve kimike do të ndryshojë rrënjësisht natyrën e konfliktit. Do të jetë një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe do të ketë pasoja shkatërruese për Ukrainën, por mund të ketë gjithashtu pasoja të rënda për vendet fqinje, sepse çdo ndotje ose përhapje e agjentëve kimikë ose agjentëve biologjikë, natyrisht, do të ndikojë potencialisht edhe tek fqinjët.

ROLI I REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS

Kina nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe abstenoi votimin e rezolutës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që dënon qartë pushtimin. Kina, për herë të parë, ka vënë në pikëpyetje disa nga parimet kryesore të sigurisë euroatlantike, duke përfshirë të drejtën e çdo kombi në Europë për të zgjedhur rrugën e tij. Prandaj, Samiti i jashtëzakonshëm i NATO-s i bëri thirrje Kinës të dënojë pushtimin, të angazhohet në përpjekjet diplomatike për të gjetur një mënyrë paqësore për t’i dhënë fund kësaj lufte sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mos ofrojë mbështetje materiale kundër Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se Kina përpiqet të ndihmojë drejtpërdrejt Rusinë me pajisje ushtarake për t’u përdorur kundër luftës liridashëse të popullit ukrainas. Në këtë ndërmarrje, ajo bën kujdes të qetësojë të dyja palët dhe të ruajë një baraspeshë midis armiqësisë së vet kundër Shteteve të Bashkuara dhe rezervave ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, në mënyrë që të mos paguajnë një çmim të lartë dhe të jetë në gjendje ta mohojë mbështetjen. Ndërkohë, në heshtje, nxit përpjekjet ruse dhe ushqen marrëdhëniet e veta me zotin Putin dhe kjo është arsyeja pse Pekini nuk merr përsipër të ndërmjetësojë apo të organizojë bisedime, duke ua lënë fuqive shumë më të vogla, si: Francës, Turqisë dhe Izraelit. Në këtë pikë, ekspertë të politikës së Jashtme venë në dukje sjelljen e Kinës ndaj Koresë së Veriut: publikisht, Kina bënte thirrje që Koreja e Veriut të frenonte programin e saj bërthamor, nga ana tjetër, i ofronte Koresë së Veriut energji dhe mbështetje në fusha të tjera për të kompensuar sanksionet e Kombeve të Bashkuara.

Në fillim të marsit, Kina kujtoi se Rusia ishte “miku i saj i përjetshëm” dhe “partneri i saj më i rëndësishëm strategjik”. Në kontekstin e sotëm, autoritetet kineze jo vetëm që refuzojnë të sanksionojnë Rusinë, por shfaqin kundërshtimin e tyre sistematik ndaj të gjitha sanksioneve, që kanë marrë vendet e tjera. Ministria e Jashtme e Kinës ve në dukje se Kina do të vazhdojë tregtinë normale me Rusinë, duke përfshirë importimin e hidrokarbureve.

Kina ka investuar shumë në konsolidimin e marrëdhënieve me Rusinë se beson se Moska mund ta ndihmojë atë në ristrukturimin e rendit botëror në një dimension post-perëndimor dhe post-liberal. Xi Jinping dhe Vladimir Putin sot ndajnë një pakënaqësi të fortë kundër NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, si dhe një dëshirë për t’i margjinalizuar në organizatat shumëpalëshe dhe për të dobësuar ndikimin e tyre në botë.

Presidenti Bajden i ka kërkuar Presidenti Xi të mos ndihmojë Rusinë të pushtojë Ukrainën, duke lenë të nënkuptohet se, në të kundërtën, Shtetet e Bashkuara mund t’i vendosin Kinës ‘sanksione dytësore’.

Administrata e Presidentit Bajden po ndjek nga afër se deri ku Kina do ta mbështesë Rusinë dhe nuk do të lejojë që kjo ndihmë “të shkojë përpara”. Shtetet e Bashkuara janë të gatshëm ta sanksionojnë Kinën dhe këtë qëndrim Pekini e ka shumë të qartë.

THIRRJE PËR NDËRPRERJEN E LUFTIMEVE

Gjithë komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara, NATO, BE i bëjnë thirrje Presidentit rus të ndërpresë pushtimin e Ukrainës. Këtë thirrje ia ka bërë edhe Ati i Shenjtë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Kryeprokurori i kësaj Gjykate ka njoftuar se po fillon një hetim mbi krimet e mundshme të luftës ruse dhe krimet kundër njerëzimit. Luftëtarë, komandantë, përfshirë vetë Putinin, mund të ndiqen penalisht për krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid.

Rusia ka zhvilluar disa raunde bisedimesh për paqe me Ukrainën, por, e vërteta është se Rusia po i përdor këto bisedimet si një perde tymi, ndërkohë që po kryen mizori të tmerrshme dhe krime lufte dita-ditës. Në qoftë se Rusia do të dëshironte të bënte negociata, nuk do të bombardonte kopshte, shkolla, maternitete, spitale, teatro, blloqe banesash, komplekse industriale, të ndërpresë furnizimet me ujë dhe ushqime të qyteteve… etj., me qëllim që të nënshtrojë popullin ukrainas.

Putini ende mendon se ky është një pushtim, që ai mund ta fitojë disi në fushën e betejës dhe nëse, ndonjëherë, do të jetë në gjendje të kuptojë se kjo nuk është e mundur, atëherë, ndoshta, do të fillojë të negociojë seriozisht. Kësisoj, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, ka deklaruar se Putini nuk ka arritur ende atë që do dhe se “operacioni special ushtarak” po vazhdon në mënyrë rigoroze në përputhje me planet dhe qëllimet që ishin vendosur më parë.

Rusia tani po ndjek strategjinë e artritit: përpjekje luftarake për të fituar, duke rraskapitur armikun deri në pikën e kolapsit përmes humbjeve të vazhdueshme në personel dhe material. Kjo do të përfshijë përdorimin e pamatur dhe pa dallim të fuqisë së zjarrit, rritje të viktimave civile, shkatërrim të infrastrukturës ukrainase dhe intensifikim të krizës humanitare. Sidoqoftë, këtë fazë të luftimeve e ka fituar qëndresa dhe shpirti liridashës i popullit ukrainas.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb