Udhëheqësi i Hamasit, Yahya Sinwar, ka mbajtur një profil të ulët, duke qëndruar i fshehur ndërsa u dërgonte mesazhe komandantëve të tij dhe në vend që të menaxhonte drejtpërdrejt fushatën ushtarake, ai ka ofruar vetëm udhëzime të gjera politikash.
Sipas vlerësimeve, Sinwar po mbështet një konfrontim të drejtpërdrejtë midis Izraelit dhe Iranit, duke shpresuar se një konflikt i tillë do të reduktonte presionin ushtarak mbi Gazën dhe do t’i jepte më shumë kohë.
Zyrtarët e sigurisë besojnë se Sinwar ka miratuar një strategji të fshehjes për rreth 1 muaj përpara se të dalë në sipërfaqe për t’u dhënë udhëzime komandantëve të tij të mbetur, dhe më pas për tu fshehur sërish.
Kjo qasje ndërlikon përpjekjet e Izraelit dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë për të çuar përpara negociatat për lirimin e pengjeve.
Sipas zyrtarëve, Sinwar po pret një përplasje të drejtpërdrejtë midis Izraelit, Iranit dhe Hezbollahut për të parandaluar ushtrinë izraelite të përqendrojë forca më të mëdha në Gaza, duke shpresuar se kjo do ti japë kohën e nevosjhme dhe një shans për të mbijetuar.
Ndryshe nga lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i cili ka menaxhuar fushatat ushtarake kundër Izraelit me komandë të centralizuar dhe urdhra të rrepta, qasja e Sinwar është e ndryshme.
Burimet e sigurisë vënë në dukje se Sinwar “përvijon vetëm politikat e përgjithshme dhe vijat e kuqe, dhe rrallë jep komanda të drejtpërdrejta”.
Boshllëqet operacionale të lëna nga vrasja e figurave të larta të Hamasit po plotësohen nga të tjerë, përfshirë vëllain e tij, Muhamed Sinwar, i cili përshkruhet si më me përvojë dhe i pamëshirshëm.
Zyrtarët e sigurisë kanë zbuluar në të kaluarën se forcat e IDF iu afruan gjetjes së Sinwar gjatë një operacioni në Gaza. Ekzistojnë gjithashtu vlerësime se Sinwar ishte në afërsi të pengjeve. Një zyrtar i lartë izraelit konfirmoi se inteligjenca e fundit tregon se Sinwar ka rinovuar kontaktet me përfaqësuesit e Hamasit në Katar, duke dërguar mesazhe të reja.
Ndërsa është e paqartë saktësisht se kur janë dërguar këto mesazhe, zyrtari theksoi se “nuk kishte asnjë tregues” se Sinwar kishte zbutur qëndrimin e tij për marrëveshjen e pengjeve.
Në mënyrë të ngjashme, kanali saudit i lajmeve Al Arabiya raportoi gjithashtu se Sinwar kohët e fundit rivendosi komunikimin me Katarin.