TIRANE- I ftohti polar i ditëve të fundit, shoqëruara me reshje bore e ngrica në gjithë vendin, ka sjellë edhe ngrirjen e disa lumenjve në vendin tonë. Po ashtu edhe lumi Fan i Madh ka ngrirë totalisht dhe në zona të caktuara ngrica ka krijuar pista akulli.

Temperaturat nën zero kanë ngrirë edhe sipërfaqe të mëdha të lumit Kir, në Bashkinë Shkodër dhe disa prej njësive administrative të saj. Për banorët e zonës është një ngjarje e rrallë, pasi siç thonë ata prej 32 vitesh nuk mbahet mend një fenomen i tillë. Nga ajo që mbajnë mend banorët e zonës, një situatë e tillë ka ndodhur për herë të fundit vetëm në dimrin e vitit 1985.

“Sipërfaqja më e madhe e ngrirë deri tani është në afërsi të Urës së Mesit në njësinë administrative Postribë, ndërsa segmentet me ngrica të pjesshme janë të pranishme deri në qytetin e Shkodrës”,- thonë banorët.

Po ashtu edhe në Lezhë, ujërat e lumit Drin kanë ngrirë, aq sa mbi shtresën e akullit mund të qëndrojnë edhe njerëzit. Edhe në një pjesë të lumit Osum në Berat, ka nisur formimi i shtresave të akullit, një fenomen ky i pazakontë sipas banorëve të zonës.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: