Tirana International Aeroport, (TIA) shprehet mbi cështjen e heqjes së ekskluzivitetit të aeroportit të Rinasit.

Drejtoresha e Komunikimit e TIA, Arlinda Çausholli bën të ditur për News24 dhe BalkanWeb se, ‘nuk ka ende një marrëveshje të arritur mes palëve”. Sipas saj, ‘negociatat e koncensionarit me qeverinë po vijojnë, por nuk ka afat të përcaktuar për mbylljen e këtyre negociatave’.

Keto pohime flasin për vijim të negociatave, ndryshe nga sa deklaroi para pak ditesh ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Arben Ahmetaj. Ministri deklaroi para pak ditësh se “Pas dy javëve pritet që të hiqet ekskluzivitetit i Aeroportit “Nënë Tereza në Rinas, ç’ka pritet t’i hapë rrugën zhvillimit të aeroporteve të tjerë në territorin shqiptar”.

Mandej Ahmetaj tha se “Së bashku me ministrin Haxhinasto besoj në krye të dy javëve do të deklarojmë zyrtarisht me konçesionarin që kemi rënë dakord për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare. Dhe menjëherë pas kësaj mund të fillojmë me Kukësin dhe menjëherë pas kësaj, mund të fillojmë me procedurat e aeroportin e Vlorës apo Sarandës”, deklaroi Ahmetaj. Sipas ministrit Ahmetaj, ka kërkesa për aeroportin e jugut, ku të paktën katër kompani të ndryshme, kanë shprehur interes për aeroport në Sarandë, apo në Vlorë.

Por edhe burime nga ministria e Transporteve bënë të ditur për BalkanWeb se nuk ka ende një marrëveshje. “Kur të ketë një të tillë ajo do të jetë publike për qytetarët”, thane burimet.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: