Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka pasur deklarata të zjarrta këto ditë në drejtim të Greqisë, e duket se kjo ka kthyer prapë tensionet mes Ankarasë dhe Athinës. Pavarësisht deklaratave të Erdogan, nga Athina është thënë se “nuk duan raporte tensioni me Turqinë”, shkruan gazeta helene “Ekathimerini”.

Ministri i Jashtëm grek Giorgos Katrougalos dhe ministri i Mbrojtjes Evangelos Apostolakis janë shprehur se “nuk kanë për qëllim përshkallëzimin e tensioneve”. Të dy ministrat bënë komentet e tyre pasi Ministria e Jashtme turke denoncoi të hënën deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke, që komentet e ndezura të Erdogan gjatë një tubimi të tij në Izmir i cilësoi si “të papranueshme në raport me fqinjësinë e mirë mes dy vendeve”.

Erdogani i ishte referuar luftës greko-turke në Azinë e Vogël në vitin 1922 dhe e përshëndeti Izmirin për “hedhjen e të pafeve në det”. Ministria e Jashtme greke tha se komentet e presidentit turk vetëm sa dëmtojnë raportin e mirë mes dy vendeve fqinje.

(d.xh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb