Nëna e vajzës 27-vjeçare që tentoi të mbytej me katër fëmijët e saj në ujërat e lumit Buna përmes një rrëfimi ka treguar se si vajza e saj e cila është në proces divorci prej 9 vitesh vuan nga bashkëshorti. Nëna tregon se 27-vjeçarja i dërgoi një mesazh duke i thënë se ndodhem tek ura e Bunës dhe menjëherë njoftuan policinë duke arritur ta gjejnë në një lulishte përpara se të kryente aktin e rëndë. Nëna e 27-vjeçares thotë se dhëndri pak muaj më parë i ka drejtuar armën duke e kërcënuar për shkak të një lidhje të dytë me një tjetër grua dhe se ka dhunuar fëmijët e vegjël duke disponuar edhe një foto. Gjyshja e fëmijëve kërkon që dhëndri të ndalohet nga policia sepse është ai shkaktari i gjithë kësaj situate. Po ashtu i bën apel shtetit që ta ndihmojnë vajzën e saj për t’i gjetur një shtëpi për ta strehuar sepse është me katër fëmijë të vegjël duke u divorcuar.
Pjesë nga intervista:
Si ndodhi ngjarja?
Vajza kishte ardhur tek shtëpia jonë për shkak të problemeve që bashkëshorti i ka sjellë për 9 vite me radhë. Ne e kemi mbështetur gjithmonë vajzën dhe do vazhdojmë ta mbështesim pavarësisht situatës së vështirë. Po bënim një diskutim me vajzën sepse donte të bënte një aplikim në e-albania tek bashkia Shkodër për strehim por më tha se nuk kam lekë. I thashë t’i japë unë. Në diskutim e sipër mori fëmijët dhe doli jashtë. Këtë gjë e ka bërë disa herë. Pas pak kohësh na dërgoi një audio mesazh dhe tha se jam te ura e Bunës. Në atë moment njoftuan policinë, erdhën menjëherë dhe arritëm ta gjejmë. Nuk arrita të flas me vajzën sepse nuk na lejoi policia. Më pas në komisariat i ka dhënë dorën, i putha fëmijët dhe i dhashë 20 mijë lekë të vjetër sepse aq kisha. Më kanë thënë se është në një qendër por nuk e di se ku, nuk kam komunikuar ende me vajzën.
Përse vajza ka ardhur tek ju bashkë me fëmijët?
Vajza ka ikur nga shtëpia sepse bashkëshorti i saj kishte një lidhje të dytë me një grua tjetër edhe ajo me katër fëmijë. E ka kërcënuar disa herë vajzën time dhe e ka lënë të vetme me 4 fëmijë duke i thënë dil nga shtëpia. Madje e ka kërcënuar edhe me armë para disa muajsh. Vajza e ka denoncuar por nuk është marrë asnjë masë. Bashkëshorti ka dhunuar fëmijët dhe ka ushtruar edhe dhunë psikologjike ndaj vajzës time. Kjo histori vijon prej vitesh. Vajza ka qenë edhe në një qendër strehimi në Tiranë dhe ka patur urdhër mbrojtje por bashkëshorti i saj ka shkuar atje edhe pse nuk lejohej dhe ka takuar fëmijët. Madje ajo qendra tre ditë përpara se të dilte sepse 6 muaj ishte afati ia ka mbushur mendjen vajzës që të ribashkohet me bashkëshortin. Më përpara donin ta nxirrnin nga aty duke i thënë që shih e gjej një punë e shtëpi në një kohë që ajo është me katër fëmijë dhe nuk ka si të punojë. Shteti është në dijeni të gjithë kësaj historie por gjithë këto vite nuk kanë bërë asgjë.
Çfarë kërkoni ju?
Ne duam që bashkëshorti i saj të ndalohet nga policia për gjitha ato që i ka bërë vajzës gjithë këto vite. I ka drejtuar armën, e ka kërcënuar, ka dhunuar fëmijët, e ka dhunuar psikologjikisht vajzën dhe gjithë kohën vetëm me mashtrime e probleme pa dashur t’ja dijë as për vajzën as për familjen. Nuk e kuptoj pse është ende i lirë me gjithë çfarë ka bërë.
Cili është apeli juaj?
Ne jemi në kushte të vështira ekonomike. Burri im është me një kemp, unë mundohem të punoj dhe herë më paguajnë herë jo. Kërkoj që shteti të vendos dorën në zemër dha ta ndihmojë vajzën timë dhe katër fëmijët e saj të mitur. Kërkoj që t’i gjendet një shtëpi për strehim sepse ne e kemi të pamundur dhe po ashtu sa munden ta ndihmojnë. Ajo është me katër fëmijë dhe duhet që t’i përgjigjet, nuk ka se si të punojë. I kërkojmë shtetit që të reagojë ndaj gjithë kësaj situate dhe të gjendet një zgjidhje për vajzën time dhe fëmijët.