TIRANË

Në seancën e sotme gjyqësore në procesin “Babalja”, është lexuar edhe dëshmia e Agron Xhafës, vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafaj, i akuzuar për trafik droge si dhe protagonist i audio përgjimit të Albert Veliut.

Në dëshmi, Agron Xhafaj deklaron se i ka dhënë borxh Albert Veliut i cili luante bixhoz por nuk ia ka kthyer. Ai ka mohuar se ka folur për trafik me të.


“Sulmet e deputetëve të PD janë për të dëmtuar imazhin e vëllait tim si Ministër i Brendshëm. Nga përmbajtja e bisedës audio mendoj se është Robert Veliu. Ai vinte rregullisht dhe pinte kafe te lokali im. I kam dhënë lekë borxh se luante bixhoz. S’ka qenë korrekt në kthimin e borxheve. Mund të kem folur me të por jo për gjërat që ai pretendon”, deklaron Agron Xhafaj.


“Në lidhje me bisedën e pretenduar në lokalin tim, aty jam unë. Ajo nuk është e folura ime, për më tepër që unë kam probleme në shqiptimin e disa shkronjave. Është tërësisht e manipuluar. Nuk njoh askënd me emrin Ermal, vec një kushëririt tim. Po ashtu, nuk njoh asnjë person me nofkën Toto Qorri” ka vijuar me tej ai.


Në seancën e sotme ka dëshmuar edhe sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi dhe prokurori Besim Hajdarmataj.

(m.k/BalkanWeb)