TIRANE – Dalip Gjoka, mjeku pediatër nga Burreli që i kërkoi publikisht martesë këngëtares Bleona Qereti, prej një jave nuk ka asnjë kontakt me miqtë e tij. “Panorama Plus” shkruan sot se edhe pse kishte planifikuar disa intervista televizive, ku do të rrëfente planet e tij për martesë dhe vendosmërinë për ta vazhduar më tej ëndrrën e tij, asnjëra prej tyre nuk u realizua, që nga e premtja e javës së kaluar.

Ai kishte rënë dakord të ishte në studion e Arian Çanit në “Zonë e Lirë”, dhe një ditë para (të enjten) kishte udhëtuar drejt Tiranës për të takuar gazetarin Çani, për të folur nga afër. Po atë ditë ishte kthyer në qytetin e tij të Burrelit, ku punon si mjek pediatër, për t’u rikthyer të premten në mbrëmje, para nisjes së emisionit. Çani e njoftoi prezencën e tij për faktin se audienca do të ishte në maksimum, nisur nga interesi i madh mediatik ndaj këtij personazhi, që pas botimit të intervistës ekskluzive në gazetën “Panorama”, ku ky burrë 64¬vjeçar me martesë të konsumuar sipas tij, dhe me dy vajza të rritura, kërkonte një fillim të ri sentimental. Si përfundim nuk mundi të shkonte në “Zonën e Lirë”, dhe arsyeja mbeti mister, sepse telefonata e Çanit direkt në emision rezultoi e dështuar, pasi numri i Gjokës rezultoi i padisponueshëm.

Pas asaj nate kurioziteti u shtua, dhe njëkohësisht interesi i gazetarëve për të mësuar më shumë se çfarë ndodhi me Dalipin? Kishim të bënim me një pendesë nga ana e tij, apo dikush e kishte ndaluar të vazhdonte më tej me intervistat, për të cilat sipas vetë atij i ishin vënë kundër familjarët, dhe gjithë fisi në Burrel. Nuk zgjati shumë dhe në fillim të kësaj jave mediat shkruan se Dalipi kishte përfunduar pranë Spitalit Psikiatrik nr. 5, edhe pse nuk u bë publike një diagnozë e përcaktuar nga mjekët.

Sipas informacioneve të pasqyruara në shtypin e përditshëm, u tha se ndaj tij në Prokurorinë dhe në Policinë e Burrelit ekziston edhe një kallëzim që është kryer nga vëllai i tij. Kallëzimi është bërë për ushtrim dhune nga ana e Dalip Gjokës ndaj vëllait të tij, M. Gjoka, të premten paradite, dhe që prej asaj dite mësohet se dy vajzat dhe gruaja e tij e kanë transportuar në pavijonin e Psikiatrisë në Tiranë.

ÇFARË NDODHI TË PREMTEN NË MËNGJES
Duke iu referuar ngjarjes, sipas të dhënave të Policisë së Dibrës, u tha se mëngjesin e së premtes, diku rreth orës 08:00, mjeku Dalip Gjoka ka qenë në qendër të qytetit bashkë me dy miqtë të tij, kur i ishte afruar vëllai, M. Gjoka, me makinë dhe e ka thirrur ta takojë. Mjeku ka hyrë në makinën e tij, e më pas nuk dihet se në çfarë rrethanash janë zhvilluar më pas ngjarjet, edhe pse saktësohej se M.Gjoka ka pretenduar në polici se është dhunuar nga ana e Dalipit në bisedë e sipër, kur ai po përpiqej t`i kërkonte llogari për gjithçka po bënte kundër familjes së tij dhe vetë fisit Gjoka. Pasi familja e afërt e mjekut ka marrë vesh përplasjen mes dy vëllezërve, ka kërkuar ndihmën e mjekëve të Tiranës për të bërë të mundur shtrimin e Gjokës, pasi gjendja e tij rezultonte e përkeqësuar.

Për situatën më tej të Dalipit, i vetmi burim nga familja që ka treguar versionin e saj për gjendjen e të atit, ka qenë vajza e madhe, një kampione pingpongu, Elda Gjoka. Me këtë rast ajo ka shfaqur para miqve hobin e saj për protagonizëm, duke ndarë çdo ditë me ta reflektime filozofikeshpirtërore dhe qëndrimin personal ndaj historisë së babait të saj. “Nuk e kisha menduar që një natë në spital psikiatrik të më sillte kaq paqe. Dalipi ka trajtim VIP. E mua më duket privilegj të shërbej aty ku është detyra e çdo biri kur duhet”. Tashmë që Dalipi ndodhet i izoluar, është e bija ajo që ka marrë vëmendjen e munguar të të atit, duke shkruar çdo ditë nga një status në Facebook, ku pret komplimente edhe për stilin e të shkruarit.

SHQETËSIMI I DALIPIT PARA PËRPLASJES ME TË AFËRMIT
Por, sipas burimeve tona, vetë Dalipi e priste këtë që ndodhi. Atyre pak miqve që e përkrahën mësohet t’u ketë shprehur shqetësimin e tij, se si njerëzit e tij më të afërt po përpiqeshin ta quanin të lajthitur, duke u kërkuar t’i prishnin planin e martesës, të cilin e kishte shumë seriozisht. Dalipi mësohet t’u ketë treguar miqve se pasi vendosi ta shprehte hapur dëshirën, jeta po i kthehej në ferr në qytetin e tij Burrel.

Sipas tij, të gjithë i kishin kthyer shpinën duke filluar nga familjarët. Ndërsa njerëzit më të afërt i kishin bërë presion që para botimit të letrës se ai po i turpëronte dhe se duhet të hiqte dorë një orë e më e parë nga publikimi, ose në të kundërt do e kishte punën keq. Duke e konsideruar veten një shpirt i lirë që po sfidonte mentalitetin shqiptar të një province, ai po tregohej me gisht që po bënte një marrëzi, duke turpëruar familjen. Ndërkohë që të njëjtat burime të Policisë që përmendëm më sipër, bënë me dije se që prej publikimit të letrës së mjekut pediatër në media, ku kërkonte të ishte babai i fëmijës së Bleona Qeretit, gjendja psikike e tij është rënduar, sidomos kur edhe njerëzit e afërt të tij kanë dalë në mbrojtje të bashkëshortes dhe të dy vajzave.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: