Shtëpia e Bardhë reagoi pas thirrjeve të republikanëve, të cilët i kërkuan Joe Biden të japë dorëheqjen edhe nga President, pasi u tërhoq nga kandidimi për një mandat të dytë përballë Donald Trump. Anëtarë të Kongresit, përfaqësues nga radhët e republikanëve i kërkuan Biden të largohet nga Presidenca. Edhe vetë Donald Trump u shpreh për CNN se Biden është i papërshtatshëm për të vijuar qëndrimin si President.
Mirëpo, Shtëpia e Bardhë sqaroi se “Presidenti Joe Biden po pret me padurim të përfundojë mandatin e tij”. Edhe vetë Biden në deklaratën fillestare pohoi se ai do të përfundojë mandatin.
“Presidenti Biden trashëgoi një ekonomi në rënie të lirë, një shkallë të lartë të krimit të dhunshëm dhe aleanca të shkatërruara nga paraardhësi i tij. Ai i dha vendit rritjen më të fortë ekonomike në botë dhe shkallën më të ulët të krimit të dhunshëm në gati 50 vjet dhe duke e bërë NATO-n më të madhe se kurrë. Ai mezi pret të përfundojë mandatin e tij dhe të japë rezultate më historike për popullin amerikan”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Andrew Bates në një deklaratë për CNN.
Bates vazhdoi më tej se Presidenca Biden do të vazhdojë të mbajë ritmin e reformave me qëllim që ekonomia amerikane të mos bjerë në recension: “Kjo përfshin vijimin e punës me qëllim uljen e kostos, krijimin e vendeve të reja të punës dhe mbrojtjen e Sigurimeve Shoqërore duke qëndruar kundër agjendës së MAGAnomics që do të përkeqësonte inflacionin dhe do të na çonte në recesion. Dhe ai do të vazhdojë të luftojë për të mbrojtur liritë e amerikanëve nga ndalimet radikale të abortit dhe sulmet ndaj shtetit të së drejtës”.
Më herët këtë të diel, Joe Biden njoftoi se kishte vendosur të tërhiqej nga kandidimi për një mandat të dytë përballë Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit.
(BalkanWeb)