Sot në mëngjes, në shkollën e mesme “Mustafa Hoxha” në Cakran të Fierit, një adoleshent plagosi shokun e tij të klasës.

I plagosuri, Y.Xhafaj deklaron se sherri ka nisur, pasi autori i plagosjes publikonte në rrjetet sociale foto të tij, të shokëve dhe familjarëve të tij. Ai tha se agresori e ka qëlluar me biçak, pasi ai dhe shokët e tij i kanë kërkuar me qetësi që të heqë fotot nga rrjetet sociale dhe muhabeti të mbyllej. Sipas tij, sherri kishte një muaj e gjysmë që kishte filluar dhe se palët nuk u kuptuan dot me fjalë.

Ndërsa, babai i adoleshentit Vasil Xhafaj tha se nuk ka qenë në dijeni për sherrin. Ai deklaroi se kërkon drejtësi për ngjarjen, ndërsa tha se qeveria duhet të bëjë më shumë për situatën e sigurisë në shkolla.

17-vjeçari: Gjithçka nisi pasi ai më publikonte foto mua, shokëve të mi e familjarëve të mi. Fotot i kishte postuar më duket në një rrjet social dhe i publikonte dhe tek të tjerët. Ka një muaj e gjysmë ky muhabet, nuk u mbyll me fjalë dhe jemi këtu ku jemi sot. Nuk është hera e parë që e bën ai, e ka bërë dhe më parë. E kam njoftuar mësuesin dhe më ka thënë lëre se vuan nga një sëmundje. I ka thënë edhe babait të tij profesori. Me atë djalin që më plagosi jemi shokë klase. Nuk kemi pasur konflikte të tjera, përveç punës së fotove. Ngjarja ndodhi 10 minuta para se të niste mësimi. Ishte në korridor, i kam thënë se a ke foto të shokëve e të familjarëve të ti e i thashë që nëse i ke, fshiji dhe ky muhabet mbyllet këtu. Ai thoshte jo telefoni është personal, gjente justifikime. Situata u agravua nga pyetjet e shumta që i bënim. Pyetjet ia bënim unë e disa shokë. Më pas ai reagoi duke nxjerrë biçakun. Po ka pasur biçak me vete gjithmonë autori. më ka goditur në shpatull dhe në këmbë. U fsheha në klasë. Duhet të mbyllen Tik Tok, Snapchat, se janë të rrezikshme. Edhe e ndjej veten të rrezikuar në shkollë.

Babai i adoleshentit të plagosur: Unë jam nisur në orën 8 nga shtëpia. Edhe unë edhe djali. Djali iku për në shkollë me një kushëri të tijin, kurse unë po shkoja në punë. Djali është goditur pak. Asgjë nuk mora vesh as sesi u godit as sesi ndodhi ngjarja. Nuk kam qenë në dijeni të konfliktit, po të dija do të kisha reaguar. Unë kërkoj drejtësi, Rama të kërkojë llogari, të vijë edhe në Cakran, Rama të vijë këtu të shikojë gjendjen. Nuk do ta çoj më djalin në shkollë, nuk ndihem i sigurt, roja duhet të jetë në shkollë që në mëngjes, roja e shkollës atje nuk është fare.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb