Vijojnë kontrollet nga strukturat e Policisë së Shtetit për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë vënë në pranga një 60-vjeçar.

Forcat e policisë kapën në fshatin Bishan të Fierit shtetasin M. T., 60 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Madridit në Spanjë ka lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar.

60-vjeçari akuzohet nga drejtësia spanjolle si anëtar i një organizate kriminale të specializuar në trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe për veprën penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike”.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi i tij me qëllim ekstradimin drejt Spanjës. Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin për të finalizuar procedurat e dorëzimit të tij te autoritetet spanjolle.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb