Me urdhër të SPAK është arrestuar në Emiratet e Bashkuara i shumëkërkuari në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji.

BalkanWeb mëson se bëhet fjalë për shtetasin shtetasi Amar (Dritan) Shkëmbi, i cili është arrestuar për ngjarjen e ndodhur në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, ku u tentua eliminimi i prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës Arjan Ndoji, i cili qarkullonte me automjet, së bashku me 2 shtetas të tjerë.

Si pasojë e të shtënave është plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë në spital shtetasi Andi Maloku (shoferi i prokurorit) dhe ka mbetur i plagosur prokurori, Ndoji.

Gazetari Igli Çelmeta raporton se tashmë pritet që të nisin procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ndërsa nga 11 personat e shpallur fillimisht në kërkim, nuk janë arrestuar akoma vetëm 3 prej tyre.

Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar më herët Redjan Rraja me 5 nëntor 2019 dhe Arjol Halilaj me 5 maj 2020.

Ndërkohë më 20 Janar të këtij viti u arrestuan Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija.

Pas arrestimit të Shkëmbit, tashmë në kërkim për ngjarjen janë tre persona, Plarent Dervishaj, Julian Mecaj dhe Ramazan Rraja.

Dyshohet se edhe Plarent Dervishaj ndodhet në Dubai.

Mësohet se ky operacion ku u arrestua Shkëmbi, ka qenë edhe një nga pikat e takimit që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të Interpolit në Lion të Francës, pra koordinimi për kapjen e personave në kërkim që fshihen në Dubai.

Kujtojmë se GJKKO ka caktuar për Dritan Shkëmbin masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Njoftimi:

Operacione policore ndërkombëtare të njëpasnjëshme, si rezultat i inteligjencës policore dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Abu Dhabi”.

Operacioni, nga Policia e Shtetit, SPAK-u dhe Interpol Abu Dhabi, në koordinim nga Qendra e Interpolit në Lyon, Francë.

Kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, 39-vjeçari i shumëkërkuar, pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.

Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve përmes inteligjencës informative, me qëllim lokalizimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët, për kapjen dhe arrestimin e këtyre personave, me qëllim ekstradimin, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi/Emiratet e Bashkuara Arabe, në koordinim nga Qendra e Interpolit në Lyon, Francë, kanë shkëmbyer informacione për një shtetas shumë të kërkuar nga SPAK-u, i cili ndodhej në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Mbi bazën e informacioneve të marra nga Policia e Shtetit, homologët e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Abu Dhabi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit:

A.(D.) Sh., 39 vjeç.

GJKKO i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilesuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi A. N., me detyrë prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, i cili qarkullonte me automjet, së bashku me 2 shtetas të tjerë. Si pasojë e të shtënave është plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë në spital shtetasi A. M. (shoferi i prokurorit) dhe ka mbetur i plagosur prokurori, shtetasi A. N.

Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me të gjithë partnerët, për të bërë të mundur kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, kudo ku ata tentojnë të largohen për t’iu fshehur drejtësisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb