TIRANE-I akuzuari për nxitje dhe rekrutim me qëllime ter roriste kërcënon gazetaren e “Gazetës Shqiptare”, Aurora Koromani. Ndërkohë që procesi gjyqësor është në vazhdim, njëri prej personave të shpallur në kërkim nga policia, i ka dërguar një mesazh kërcënues gazetares së aktualitetit. “Duhet të paguash”, ka qenë përmbajtja e SMS-së që Koromani ka marrë në inboksin e saj në rrjetin social të “Facebook”-ut. Pas këtij mesazhi, gazetarja ka bërë denoncimin në Drejtorinë e Përgjithshme dhe çështja i ka kaluar Sektorit të Krimit Kompjuterik, Antiterrorit dhe Departamentit të Krimeve të Rënda. Specialistët e policisë kanë arritur ta identifikojnë personin dhe thonë se ai ka qenë ndërkaq i shpallur në kërkim për “nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”. Ndërkohë, gazetarja është kontaktuar nga kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilët i kanë ofruar asaj mbështetje maksimale. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e saktë të autorit, ndërkohë që çështja është referuar për veprën penale “të kanosjes për shkak të detyrës”. Vetë gazetarja Aurora Koromani rrëfen se çfarë i ka ndodhur.
Kur ju ka ardhur mesazhi?
Mesazhi më ka ardhur në datën 2 qershor, në orën 22:57 minuta në inboksin e “Facebook”- ut.
Sapo kisha mbërritur në shtëpi dhe në momentin që telefoni më dha sinjalin, e hapa dhe pashë që më kishte ardhur një mesazh në “Facebook” nga një adresë e panjohur. Pasi e hapa, lexova këtë tekst: “Duhet të paguash”. Në fillim mendova se ishte dikush që donte të tallej apo të bënte shaka dhe nuk e mora seriozisht. Por, pasi hapa profilin e “FB” të personit që më kishte dërguar mesazhin, pashë që ai kishte shumë miq që kishin lidhje me xhihadistët. Përveç kësaj, në profilin e dërguesit të mesazhit ishin shpërndarë shumë linqe që bënin thirrje për të luftuar të pafetë, video që tregonin terroristë duke prerë koka njerëzish, video ku bëhej thirrje për të shkuar në Siri etj. I kam dërguar një mesazh dërguesit, ku e pyes se kush është, por ai, edhe pse e ka parë SMSnë, nuk më ka kthyer përgjigje.
Kur e bëtë denoncimin?
Mëngjesin e djeshëm kam folur me përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe ata më kanë thënë që të paraqitem në polici, pasi mesazhi dukej serioz dhe kishte përmbajtje kërcënimi. Denoncimin e kam bërë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku është marrë Sektori i Krimit Kompjuterik, Struktura e Antiterrorit dhe Departamenti i Krimeve të Rënda. Pas të dhënave që unë u dhashë, policia arriti të binte në gjurmët e personit që fshihej pas adresës së “Facebook”-ut, emrin e të cilit nuk mund ta them për arsye hetimore, por mund të them se bëhet fjalë për një nga personat që është në kërkim ndërkombëtar për thirrje terroriste, i cili dyshohet se është duke luftuar në Siri dhe për të cilin unë kam bërë edhe shkrime në gazetë. Policia është duke vazhduar hetimet, për të kuptuar nëse vërtet mesazhi është shkruar nga personi që fshihet pas adresës dhe për të parë se nga cili shtet është dërguar mesazhi.
Ju mendoni se kërcënimi ka lidhje me shkrimet që keni bërë në gazetë për temën e terrorizmit?
Dyshimet janë të shumta, madje mendoj se dërguesi mund ta ketë çuar SMS-në për të më bërë presion mua, gazetës apo edhe shtypit në tërësi për të mos shkruar më për këtë temë, duke theksuar se ditët e fundit mediat kanë shkruar sërish, pasi ka qenë gjyqi i grupit të xhihadistëve. Që nga fillimi i kësaj historie, unë kam shkruar shumë artikuj, ku kam përmendur edhe dërguesin e mesazhit, edhe persona të tjerë të arrestuar tashmë, edhe intervistat me familjarët e të vrarëve në Siri, rrugët e rekrutimit të shqiptarëve për në Siri, objektet apo personat që janë në vëzhgim nga Antiterrori dhe, për këtë arsye, dyshoj se kërcënimi ka lidhje me shkrimet që kam bërë, pasi dikush duhet të jetë prekur nga këto shkrime. Dua të theksoj se, menjëherë pasi drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako është njohur me rastin, më ka ofruar mbështetjen e plotë. Në të njëjtën kohë, edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri më ka marrë në telefon dhe më ka mbështetur.
A ndiheni e frikësuar?
Shpresoj që kërcënimi të mos jetë serioz dhe që çdo gjë të marrë fund, pasi unë kam bërë vetëm detyrën time si gazetare.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: