Një burrë që mbante peng të afërmit e tij brenda banesës në jug të Brazilit u vra nga policia pasi më herët qëlloi dhe vrau babanë, vëllanë dhe një oficer policie, thanë autoritetet lokale.
I armatosur me dy pistoleta dhe dy karabina, burri, një shofer profesionist 45-vjeçar, i cili thuhet se vuante nga probleme psikologjike, plagosi gjithashtu nënën e tij, gruan e vëllait dhe gjashtë oficerët e policisë që kishin rrethuar shtëpinë për nëntë orë.
Ngjarjet u zhvilluan natën e së martës në të mërkurën në Novo Aburgo, në periferi të Porto Alegre, kryeqyteti i Rio Grande do Sul.
Dy prej policëve të plagosur janë shtruar në spital në gjendje të rëndë, tha ministri i Brendshëm i atij shteti, Sandro Caron.
Autori kishte patentë për të mbajtur armë zjarri për qëllime sportive. Në shtëpinë e tij u gjetën më shumë se 300 plumba.
Policia është nisur në vendngjarje pas një telefonate nga babai i 45-vjeçarit. Sulmuesi “përshëndeti” policinë me një breshëri zjarri, tha guvernatori i Rio Grande do Sul, Eduardo Leyte. Policia iu përgjigj zjarrit dhe personi i armatosur u vra.
Sandro Caron shpjegoi se sulmuesi refuzoi çdo përpjekje për të negociuar dhe filloi të qëllonte ndaj të afërmve të tij dhe policisë.
Motivi i tij ende mbetet i paqartë.