Ai është cilësuar si një nga kryetarët me dorë të hekurt të parlamentit edhe pse ka më pak se një muaj në këtë detyrë.
Që në seancën e parë parlamentare Gramoz Ruçi i kufizoi fjalën ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilin ishim mësuar ta dëgjonim pa fund, për shkak të ‘simpatisë’ së ish-kryetarit Ilir Meta.
Por duket se Ruçi nuk është i ashpër me të gjithë. Në seancën e sotme ai nuk i ka kursyer komplimentet për deputetin e ri të PD Bardh Spahia. E komplimenti kishte të bënte pikërisht me zbatimin e rregullores. Spahia foli lidhur me rendin e ditës, për aktin normativ të buxhetit të shtetit.
“Sipas rregullave çdo diskutant duhet të flasë për thelbin e çështjes dhe zoti Spahia që jeni një model, u pa të flasë për thelbin e çështjes, pra për aktin normativ. Le të shërbejë si model për çdo diskutant”, tha Ruçi.
(m.k/BalkanWeb)