“Shqiptarët për shqiptarët” publikuan në News24 historinë e dhimbshme të Vjollca Gjinit me dy fëmijë jetimë në një fshat në Ballshit. Kryefamiljari ka ndërruar jetë para një viti në moshën 46-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë.


Familja Gjini banon në një banesë të rrënuar në mes të pyllit që rrezikon të shembet. Janë larg njerëzve e mes gjarpërinjve. Fëmijët çdo ditë përballen me rrezikun për jetën.
Vjollca e përballon jetën bashkë me vjehrrën Njoftimen 73 vjeç, Florin 12 vjeç dhe Arbanën e vogël 7 vjeç. Fshati ku banojnë, Belishova është braktisur nga shumë banorë në kërkim të një jetë me më shumë mundësira. Familja Gjini ka blerë një apartament në qytetin e Fierit por ua ka shitur pronari pa dhënë asnjë shpjegim. Vjollca tregon historinë e saj.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Në Belishovë nuk banon njeri, është fshat i braktisur. Jetoj me dy fëmijët dhe vjehrrën këtu në mes të pyllit. Unë dhe burri u njohëm në 2006, lindën fëmijët. Burri punonte në Greqi emigrant në bujqësi. Unë isha këtu me prindërit e tij. Ai andej grumbulloi disa të ardhura, morëm një apartament në Fier 52 milionë. Kur shkuam atje apartamenti ynë ishte shitur tek dikush tjetër.
Burri kishte sakrifikuar shumë për ti mbledhur ato para, u stresua jashtëzakonisht. Pas 2 javësh ai u sëmur keq. Vuajti 6 vjet dhe nuk i mbijetoi dot. Sebepi ishte ai apartament që ne nuk e morëm dot. Ëndrra e tij ishte që fëmijët t’i çonim në Fier të shkolloheshin atje. Ëndrra e tij vdiq. Ai sakrifikoi shumë djersa e tij u shkel ashtu. Nuk e përshkruaj dot. Kur e kuptoi se do vdiste më tha të largoja fëmijët. Unë kisha ngrirë, isha pa fjalë, u hutova. Kunati tha tani na keni ne. E vuajmë shumë humbjen, vjehrra qan gjatë gjithë kohës. Mbushem me ankth, jemi vetëm dhe e kemi kaluar atë helm pa njerëz. Jetojmë në mes të pyllit mes gjarpërinjve, kemi frikë, s’ka njerëz, shtëpia po na bie. Dritaret janë kalbur”, thotë Vjollca.


Humbjen e djalit dhe varfërinë e tejskajshme e përjeton më shumë gjyshja Njoftimja. Ajo lutet që dikush t’i ndihmojë nipërit e saj. Gjumi natën nuk e zë pasi ka frikë se shtëpia do shembet.
E moshuara, vjehrra e Vjollcës me sytë e patharë prej kohësh kërkon ndihmë për nipat. “Djali më ka lënë dy zogj. Nusja mbeti vetëm. Jetojmë vetëm me 80 mijë lekë të vjetra. Mbase ka njerëz me zemër të madhe. Më dhimbsen fëmijët e vegjël. Shpresoj të rregullohen fëmijët e të mbyll sytë. Mbase ka njerëz me zemër dhe këta të dalin në dritë. Në këto shtëpi na futen gjarpërinj. Këto shtëpi janë më shumë se 60 vjeçare, janë shumë të vjetra. Trari do bjeri. Muri ka zënë bark. Fëmijët po i rrisim me lakra. Nuk më zë as gjumi nga frika që kam. Them o Zot po për ne do mendojë kush. Mbase ka djem nëne që shikojnë televizor. Nuk di çfarë të them më. Nuk mundem dot më”, thotë gjyshja e shtëpisë.

(BalkanWeb)