Pasi opozita dogji mandatet, analistë dhe gazetarë në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në News 24, kanë zgjedhur të komentojnë fjalimin e parë të kryeministrit Edi Rama, i cili e nisi me ndjesë dhe e mbylli me dorë të shtrirë, por i bindur se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Analisti Andi Bushati, u shpreh se u habit që kryeministri doli të kërkonte falje për arrogancën dhe nuk dha asnjë përgjigje për shkaqet që shtynë opozitën të ikte nga Parlamenti.


“Nuk mendoj që e keqja e Ramës apo këtij reagimi të parë ishte tek fakti që i mbahej fryma apo mezi i dilnin fjalët. Në këtë gjendje fizike e kam parë vetëm pas protestës së Kukësit. Pas vendimit ekstrem të opozitës kuptuam se Rama është i gatshëm ta kthejë vendin në parti shtet. Ne shohim një njeri që del e kërkon falje se është ironik me gazetarët, se del me atlete apo brekushe. Kur dëgjova këtë thashë, e erdhi në mendje një pyetje e thjeshtë: është budalla apo bën vetë? Ky kërkon falje se vesh brekushe kur akuza ndaj tij është se po vjedh zgjedhjet e bashkëpunon me kriminele. Nuk e di në ishim në teatër apo Rama nuk e kupton”,- tha Bushati.


Ndryshe nga Bushati mendonte gazetari Carlo Bollino. Sipas tij, Rama kishte përgënjeshtruar akuzat për lidhje me krimin, ndërsa pranonte se shit-blerja e votive ka ndodhur në Shqipëri.
“Unë kam dëgjuar edhe përgënjeshtrimin e thellë të lidhjes me krimin. Tha që ndodh në Shqipëri të ketë pasur shit-blere votash. Ka ofruar mundësinë e dialogut, përjashtoi mundësintë e zgjedhjeve të parakohshme. Pra, dha një përgjigje politike”,- tha Bollino.


(m.a/BalkanWeb)