FIER

“Shkova të shihja për gjendjen e kushëririt që ishte aksidentuar, kur një makinë na mori të gjithëve para”. Ky ka qenë rrëfimi i një prej të mbijetuarve nga aksidenti i frikshëm dje në aksin Levan-Tepelenë, ku 2 persona vdiqën dhe u plagosën 5 të tjerë.

Gazetari Ervis Kuçi ka siguruar për ‘BalkanWeb’ rrëfimin e Menyr Lamaj, një prej personave të plagosur. Ai tha se sapo ishte njoftuar për aksidentin në fjalë ku ishte përfshirë kushëriri i tij, bashkë me të vëllain dhe djalin kishin shkuar nga fshati drejt rrugës, ndërsa ishin marrë para nga një makinë. Sipas të plagosurit, makina ishte me shpjetësi dhe nuk kishte frenuar fare.

“Na u përplas një kushëri në autostradë. Duke parë atë, na vjen një makinë na merr ballë përballë. Kushëririn e kishte goditur një makinë. E në ato momente teksa ishim duke parë, na vjen makina na merr para. makina erdhi pas 5 minutash. Ishte me shpejtësi të paparë. As nuk frenoi fare. Ne ishim në këmbë, shkuam të shihnim djalin e xhaxhait që ishte aksidentuar. Ishim në fshat, sapo morëm vesh për aksidentin dhe duke parë ambulancën në rrugë, na mori makina para. Isha unë, djali dhe vëllai im. Edhe ata u goditën. Ishin shumë persona, nuk e di”, tha Lamaj teksa ndodhet i shtruar në spitalin e Fierit, ndërsa në fytyrë ka ende njolla gjaku.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb