Gjykata e Lezhës ka dënuar me 3 vjet e katër muaj burg një të moshuar pasi ka kryer marrëdhenie seksuale me një prej tre motrave me probleme të shëndetit mendor.


Gjykata e Lezhës ka dënuar me 3 vjet e katër muaj burg një të moshuar pasi ka kryer marrëdhenie seksuale me një vajzë me probleme të shëndetit mendor. Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit me iniciale K.P për kryerjen e veprës penale të “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur” të parashikuar nga neni 103/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 vite burg.


Por pasi i dënuari pranoi akuzën e ngritur ndaj tij dhe kërkoi gjykim të shkurtuar, dënimi u ul me 1/3, ndërsa ai do të vuaj 3 vjet e 4  muaj burg. Sipas dispozitivit dënimi do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme, ndërsa shpenzimet gjyqësore dhe ato procedurale hetimore, do të paguhen nga i pandehuri.


Shtetasi K.P 75-vjeç u arrestua nga Policia e Lezhës pas një vido të shfaqur në rrjetet sociale teksa po abuzonte me një femër. Pas verifikimeve të pamjeve filmike rezultoi se e abuzuara ishte një nga tre motrat me aftësi të kufizuar që jetonin në qytetin e Lezhës.

BIRN, në një investigim një vit më parë, gjeti se tre motrat e një familje me probleme të shëndetit mendor në Lezhë ishin abuzuar për rreth tre viteve nga persona të ndryshëm. Të treja mbetën shtatzëna dhe lindën fëmijë. I moshuari i dënuar është i vetmi prej abuzuesve që u dënua.

Institucionet shtetërore përgjegjëse për t’i ndihmuar vajzat, edhe pse në dijeni të situatës, nuk kishin reaguar, ndërsa shkarkonin përgjegjësitë te njëra tjetra. Në prill të këtij viti, pasi u bë me dije se një prej motrave ishte sërish shtatzanë me një fëmijë prej abuzimit Shërbimi Social Shtetëror i zhvendosi në dy qendra të ndryshme në Vlorë dhe Elbasan, ndërsa për nënën tyre ende nuk është gjetur zgjidhje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb